“Serbia s’po jep llogari”- Osmani takohet me Komandantin e NATO-s, ia përmend sulmin në Banjskë e Ibër-Lepenc

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, me rastin e marrjes së detyrës së tij në krye të një prej komandave më të rëndësishme strategjike të Aleancës Veriatlantike.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se Osmani “potencoi rreziqet nga aktet destabilizuese të Serbisë dhe mungesën e llogaridhënies nga ana e saj” për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmin terrorist në Banjskë dhe sulmin kinetik në kanalin Ibër-Lepens.

Sipas saj, Kosova mbetet një partner i besueshëm, i aftë dhe kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe theksoi se Kosova mbetet një partner i besueshëm, i aftë dhe kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, e përkushtuar fuqishëm ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, theksohet në njoftim.

Osmani ka ritheksuar mirënjohjen e Republikës së Kosovës ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin vendimtar dhe të pazëvendësueshëm që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë që nga viti 1999.

“Në këtë kontekst, Presidentja shprehu vlerësim të veçantë për misionin e KFOR-it, si forcë e besueshme parandaluese dhe garantuese e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim”, thuhet në njoftim.