Në raftet e supermarketeve kosovare, etiketa “Made in Serbia” duket gjithnjë e më e zakonshme, një realitet që tregon se, të paktën ekonomikisht, Beogradi po fiton një betejë të përditshme, pa qenë nevoja për retorikë politike.
Pavarësisht tensioneve politike, ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë e lidhur fort me Serbinë, sidomos në produktet industriale, ndërtimore dhe ushqimore.
Tregu kosovar duket se po bëhet çdo muaj e më i varur nga mallrat serbe. Të dhënat më të fundit doganore për muajin tetor 2025, të siguruara nga Demokracia.com, tregojnë një rritje të ndjeshme të importeve nga Serbia, që kanë arritur vlerën 20.09 milionë euro, duke shënuar nivelin më të lartë të muajve të fundit, shkruan Demokracia.com.
Kjo shifër e rikthen Serbinë fuqishëm në garë me dy furnizuesit kryesorë të tregut kosovar – Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Sipas të dhënave zyrtare pwr muajin tetor, Maqedonia e Veriut ka kryesuar sërish në tetor me 18.7 milionë euro mallra të importuara në Kosovë, ndërsa Shqipëria ka mbetur pas me 15.8 milionë euro.
Në vendin e katërt është renditur Bosnja e Hercegovina me 4.56 milionë euro, ndërsa Mali i Zi me 1.78 milionë euro. Moldavia, në anën tjetër, mbetet një furnizues simbolik me vetëm 108 mijë euro mallra.
Në periudhën janar–tetor 2025, Serbia ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë mbi 158.8 milionë euro, duke e ruajtur pozitën si një nga furnizuesit më të mëdhenj të tregut kosovar, menjëherë pas Maqedonisë së Veriut, e cila ka arritur 174.6 milionë euro. Ndërkaq, Shqipëria mbetet në vendin e tretë me rreth 142.1 milionë euro.
Analistët ekonomikë shesh vlerësojnë se këto shifra janë pasojë e mungesës së një strategjie të qartë për mbrojtjen e prodhimit vendor, ndërkohë që tregtarët kosovarë vazhdojnë të orientohen drejt furnizuesve më të mëdhenj dhe më të lirë të rajonit, ku Serbia mbetet ndër më konkurrueset. /Demokracia.com/












