Në Serbi, pushteti nuk po mundet asesi ta kapërdijë suksesin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Anipse viteve të fundit Kosova çaloi, dy njohje të njëpasnjëshme për Republikën e Kosovës, kanë ‘shqetësuar’ Serbinë zyrtare.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka reaguar agresivisht – në shkelje të Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit – ndaj Sudanit rreth vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
MPJ-ja serbe e quajti “shqetësim serioz” dhe “vendim verbal” njohjen nga Sudani, duke ua vënë edhe në dyshim “kapacitetin qeveritar” aktual Sudanit.
“Situata aktuale politike në Sudan, e karakterizuar nga pasiguria dhe mungesa e legjitimitetit të qeverisë aktuale, vë në pikëpyetje vlefshmërinë e vendimeve të tilla ndërkombëtare. Kapaciteti i qeverisë aktuale të Sudanit për të marrë vendime me rëndësi jetike për marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në kontekstin e çështjeve që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, është e diskutueshme”, thuhet në komunikatën e MPJ-së së Serbisë.
“Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje qeverisë së Sudanit që të rishqyrtojë vendimin e saj, duke pasur parasysh kompleksitetin dhe delikatesën e situatës”, thuhet në deklaratë.
Brenda pak ditëve dy njohje
Lajmin e dha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një videoje në rrjetin social Facebook, ku bashkë me ministrin e Jashtëm të këtij shteti, ndanë njoftimin.
“Sudani njeh Republikën e Kosovës!
Urime të gjithë qytetarëve të shtetit tonë!”, deklaroi Osmani.
Kjo është njohja e dytë brenda pak më shumë se dy javë, duke shënuar një kthesë pozitive për diplomacinë kosovare pas një periudhe stagnimi.
Më 26 mars, ish-presidenti Behgjet Pacolli dha lajmin e madh për njohjen nga Kenia.
“17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!” – kishte shkruar Pacolli.
Njohjet nga këto shtet vijnë pas një vakumi pesëvjeçar diplomatik, që nga njohja e fundit nga Izraeli.
Izreali njohu Kosovën menjëherë pasi në Ëashington ishin nënshkruar marrëveshjet për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat u nënshkruan nga kryeministri Hoti e presidenti Vucic në prani të President amerikan Donald Trump.
Ndërkohë, Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti është përballur me kritika të ashpra gjatë këtyre katër viteve, për shkak të dështimit për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare për Kosovën.