Serbia është shumë afër që të funksionalizojë shërbimin ushtarak të detyrueshëm.
Për shqiptarët, që janë shumicë në Luginë të Preshevës, një gjë e tillë është e papranueshme.
Përfaqësuesi komunal në Bujanoc, Ragmi Mustafi thotë se ushtria serbe nuk i përfaqëson shqiptarët, pikërisht për shkak të së kaluarës.
“Është komplet e papranueshme çfarëdo nisme për rektrutim te shqiptarët për në ushtrinë serbe e aq më tepër për shërbim të detyrueshëm ushtarak te shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë… Ajo ushtri nuk përfaqëson shqiptarët, ajo ushtri është një ushtri që përfaqëson anën e kundërt të shqiptarëve, përkatësisht vrasësit dhe ata që kanë ushtruar dhunë e kanë abuzuar me të drejtat tona e me jetët tona në Luginë të Preshevës”, u shpreh Ragmi Musrafi, këshilltar komunal Bujanoc.
Lidhur me këtë, dy ditë më parë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka propozuar themelimin e një Komisioni të posaçëm, që do të hetonte rastet e vdekjeve të ushtarëve shqiptarë që ishin në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë gjatë viteve të ’80.
Mustafi thotë se kjo nismë do të bënte që Serbia të ballafaqohej me të kaluarën.
“Është mirë që të zbulohet e vërteta. Përmes të vërtetës ne mund të ndërtojmë të ardhmen, përmes të vërtetës ne mund të ndërtojmë paqen, ndryshe, Serbia duhet të përballet përfundimisht me të kaluarën e saj”, thotë Mustafi.
Megjithatë, konsiderohet si shumë e vështirë që nisma e Shaip Kamberit të jetësohet.
“E rëndësishme është që shqiptarët të ngrenë zërin. E rëndësishme është që edhe deputeti shqiptar, në mënyrë brilante të përfaqësojë këto tema me të cilat edhe më tej ballafaqohet komuniteti shqiptar. E rëndësishme është që bashkësia ndërkombëtare të shohë proaktiv komunitetin shqiptar dhe shumë më e rëndësishme është që ne të themi të vërtetën”.
Me këtë nismë, synohet që të zbardhet e vërteta për vdekjet e 135 shqiptarëve gjatë shërbimit në ushtrinë jugosllave e që në atë kohën ishin cilësuar si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore”, por që për familjarët ishin të dyshimta sepse shpesh kishin hasur në shenja dhune mbi trupat e kthyer./Top Channel/