Serbia nuk harmonizohet me dy vendimet e reja të politikës së jashtme të BE-së lidhur me Iranin

Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor që nuk është harmonizuar me dy vendimet e reja të politikës së jashtme të BE-së lidhur me Iranin.

Siç është njoftuar nga BE-ja, Serbia nuk është harmonizuar me vendimin për masat kufizuese për shkak të situatës në Iran – (CFSP) 2026/265 të 29 janarit, me të cilin zgjerohet lista e individëve dhe entiteteve ndaj të cilëve zbatohen masat, transmeton Paparaci.

Serbia nuk është harmonizuar as me masat kufizuese për shkak të mbështetjes ushtarake të Iranit ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe ndaj grupeve të armatosura në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Detit të Kuq – (CFSP) 2026/263 të 29 janarit.

Me vendimet e reja të Këshillit të BE-së janë harmonizuar të gjithë kandidatët e tjerë për anëtarësim në BE nga rajoni i Ballkanit Perëndimor – Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina, të cilat do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me to, ndërsa BE-ja e merr në dijeni këtë angazhim dhe e mirëpret atë, thuhet në njoftim./Paparaci.com