Serbia në krizë politike, pushteti e opozita kërkojnë përfshirjen e BE-së

Thirrje për përfshirjen e BE-së në zgjidhjen e krizës politike që ka kapluar Serbinë prej muajsh po bëhen gjithnjë e më të zëshme nga opozita atje. Lëvizjet studentore dhe shoqëria civile po i kërkojnë Brukselit që të mos qëndrojë anash dhe të ndërhyjë, pasi siç theksojnë, vetëm BE-ja dhe Perëndimi shprehin interesim për gjendjen e demokracisë në Serbi. Por, edhe pushteti atje po e kërkon ndërhyrjen e BE-së.

Ndërsa protestat në Serbi vazhdojnë prej muajsh, thirrjet për përfshirjen e Bashkimit Evropian në zgjidhjen e krizës politike po bëhen gjithnjë e më të zëshme. Opozita, lëvizjet studentore dhe shoqëria civile i kërkojnë Brukselit që të mos qëndrojë anash dhe të ndërhyjë, pasi siç theksojnë, vetëm BE-ja dhe Perëndimi shprehin interesim për gjendjen e demokracisë në Serbi.

“Është e mundur që BE-ja dhe shtetet evropiane të ndërmjetësojnë në Serbi, ashtu siç kanë vepruar më parë në Maqedoni në vitin 2016 dhe në Malin e Zi. Serbia është vend kandidat dhe ka  detyra të qarta”, tha Aleksandar Radovanoviq, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.

Opozita i kërkon BE-së reagim më të fuqishëm kundër represionit ndaj protestuesve, përfshirë dhunën, arrestimet dhe sulmet ndaj gazetarëve. Por edhe pushteti po kërkon reagimin e BE-së, duke akuzuar protestuesit për ’ekstremizëm dhe huliganizëm’.

“Përmes letrave do t’i pyes institucionet evropiane dhe partnerët tanë pse po mbyllin sytë ndaj ekstremizmit dhe huliganizmit që po përhapet nga demonstruesit”, tha Ana Brnabiq, kryetare e Kuvendit të Serbisë.

Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, kohë më parë shprehu shqetësim për përdorimin e tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe kujtoi rëndësinë e të drejtës për tubim paqësor. Derisa një pjesë e shoqërisë kërkon reagim më të ashpër, analistët vlerësojnë se BE-ja po ndjek një politikë të kujdesshme ndaj presidentit Vuçiq, duke e parë si partner.

“BE-ja nuk dëshiron t`i rrezikojë interesat e veta të sigurisë dhe të gjeopolitikës, por rrezikon të humbasë ndikimin te qytetarët pro-evropianë. Prandaj, së paku duhet të forcohet kritika ndaj represionit në Serbi”, tha Aleksandar Ivkoviq, politolog.

Reagimi i BE-së do të testohet në fillim të shtatorit, kur Parlamenti Evropian pritet të shqyrtojë një rezolutë për gjendjen në Serbi, me fokus në represionin policor, kërkesat për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe reforma demokratike./rtk

The post Serbia në krizë politike, pushteti e opozita kërkojnë përfshirjen e BE-së appeared first on Kosovapost.net.