Serbia kundër linjës së BE-së: Refuzon sanksionet ndaj Rusisë, Ukrainës dhe Venezuelës, ngec edhe në dialogun me Kosovën

Serbia është e vetmja vend kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Ballkani Perëndimor që nuk është harmonizuar me tri vendime të reja të politikës së jashtme të BE-së lidhur me Ukrainën, Rusinë dhe Venezuelën. Ndërkohë, ajo është harmonizuar me vendimet që kanë të bëjnë me situatat në Korenë e Veriut, Malin dhe Haitin.

Sipas njoftimit të Bashkimit Evropian, me tri vendimet e reja të Këshillit të BE-së janë harmonizuar të gjitha vendet e tjera kandidate nga rajoni – Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina – të cilat janë zotuar se do t’i përshtatin politikat e tyre kombëtare me këto vendime. BE-ja ka marrë në dijeni këtë zotim dhe e ka përshëndetur atë.

Serbia nuk është harmonizuar me vendimin për zgjerimin e listës së individëve dhe entiteteve ndaj të cilëve zbatohen masa kufizuese për shkak të shkeljes ose kërcënimit të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës. Po ashtu, Beogradi nuk ka përkrahur as vendimin për masa kufizuese ndaj individëve dhe entiteteve për shkak të situatës në Venezuelë, përfshirë shkeljen e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe represionin ndaj shoqërisë civile dhe opozitës demokratike pas zgjedhjeve presidenciale.

Serbia gjithashtu nuk është harmonizuar me vendimin për zgjerimin e listës së personave dhe entiteteve ndaj të cilëve zbatohen masa kufizuese për aktivitete destabilizuese të Rusisë.

Serbia ka nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në janar të vitit 2014. Deri më tani, ajo ka hapur 22 nga 35 kapituj negociues dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm dy prej tyre. Procesi i negociatave është praktikisht i ngrirë që nga dhjetori i vitit 2021, kur u hapën kapitujt e fundit.

Edhe pse Komisioni Evropian ka vlerësuar se Serbia është teknikisht e gatshme për hapjen e Klasterit 3, ky klaster nuk është hapur as gjatë vitit 2025, për shkak të mungesës së konsensusit të plotë mes vendeve anëtare të BE-së.

Sipas vendeve anëtare të BE-së, për hapjen e Klasterit 3 Serbia duhet të shënojë përparim të mëtejshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Shtyrja e vendimit erdhi pasi u konstatua se nuk ekziston pajtim i mjaftueshëm mes shteteve anëtare për hapjen e këtij klasteri.

Komisioni Evropian, në dy raportet e fundit të progresit për Serbinë – në fund të viteve 2024 dhe 2025 – ka theksuar mungesën e përparimit në funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes. Raportet përmendin gjithashtu rritjen e represionit të autoriteteve gjatë protestave kundër qeverisë, të cilat kanë nisur në fund të vitit 2024.

Klasteri 3 përfshin tetë kapituj: transformimin digjital dhe mediat, tatimet, politikën ekonomike dhe monetare, politikën sociale dhe punësimin, politikën industriale dhe të ndërmarrësisë, shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe bashkimin doganor. Nga këta kapituj, Serbia kishte hapur pesë prej tyre para ndryshimit të metodologjisë së negociatave në vitin 2020, e cila parashikon hapjen e kapitujve të grupuar në gjashtë klasterë tematikë.

Autoritetet serbe vlerësojnë se vendi ka përmbushur kushtet për hapjen e Klasterit 3, ndonëse Serbia ka shënuar ngecje në procesin e integrimit evropian dhe gjatë katër viteve të fundit nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociues. /Vijesti