Agim Rexhepi, nga Shoqata “Miqtë e Amerikës”, ka kritikuar ashpër mungesën e kontratave të lobimit për Kosovën, duke theksuar se kjo ka sjellë pasoja të rënda për imazhin dhe pozicionin diplomatik të vendit.
‘’ Fatkeqësisht ky fakt më nuk është lajm. Ka vite e vite që kam apelu tek Institucionet tona kredibile me deklarata, prononcime por edhe në kanale private që të punohet më shumë e me mençur me lobim ngase pozicioni e imazhi diplomatik i shtetit tonë është ne rënie, ndërsa pozicioni i Serbisë, fatkeqësisht është në rritje. Kjo u dëshmua edhe me efekte konkrete lobuese jo vetëm në ShBA por edhe në Evropë,” tha Rexhepi për Front Online.
Ai vuri në dukje se Serbia ka angazhuar pesë kompani të fuqishme lobuese, ndërsa Kosova nuk ka asnjë, duke e cilësuar këtë si një dështim me pasoja të dukshme tashmë dhe në të ardhmen.
“Serbia e ka forcuar imazhin dhe e ka rrit ndikimin. Nga shteti që ka bërë shumë lufta e ka kryer gjenocid u shëndrrua në faktor stabiliteti në Ballkan. Këtë ndikim e krijon vetëm diplomacia e mençur shtetërore e veprimi e lobit të tyre“, shtoi ai.
Rexhepi kërkoi urgjentisht formimin e një task force nga MPJD, duke sugjeruar angazhimin e lobuesve të fuqishëm dhe personaliteteve të njohura për të përmirësuar pozicionin diplomatik të Kosovës.
“Urgjentisht Gërvalla duhet të formoj një task force me objektiva afat shkurta, afat mesme e afat gjata ku do merrnin pjesë zyrtarët qendror të Ministrisë, të thirren lobuesit tanë të fuqishëm në Shba, të ftohen personalitete të fuqishme nga Kosova pse jo edhe rajoni që kanë dëshmu me rezultate konkrete se din e munden me sjellë poena politiko diplomatik për shtet e komb dhe se kanë lidhje të fuqishme në SHBA”, tha ai.
Ai gjithashtu kërkoi llogaridhënie nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për dështimet e shkaktuara nga mospunë ose mosveprim.
“Nëse nuk veprohet shpejt në situatë normale më e pakta që do duhej të ndodhte është që Ministrja Gërvalla do duhej të shkarkohej, dhe të kërkohet llogaridhënie nga ajo e stafi kompetent për dështimet e shkaktuara diplomatike me mospunë”, tha ai.
Rexhepi ka theksuar se ambiciet e SHBA-ve për të krijuar një rend të ri botëror po ndodhin paralelisht me një rritje të ndikimit të Serbisë, që ka angazhuar pesë kompani të fuqishme lobuese këtë vit.
‘’Vërehen ambiciet e SHBA ta ri-krijoj një rend të ri botëror (edhe pse rendi i ri ishte i dakorduar nga fuqitë e mëdha dhe kishte filluar me u implementu…). Veprimet e Trump në politikën e brendshme ka bërë veprime që munden me shkaktu pakënaqësi në të ardhmen. Energjia e Trump dhe kabinetit do jetë më shumë e përqendruar rreth problemeve eventuale të brendshme”, deklaroi Rexhepi.
Ai tha se Kosova fatkeqësisht nuk ka asnjë kompani lobuese, një dështim që ka pasoja të dukshme tashmë dhe mund të jenë edhe më të theksuara në të ardhmen.
“Është dështim ku pasojat vërehen tash. Këto pasoja do të jenë edhe me të theksuara në të ardhmen nëse nuk veprojmë shpejt dhe fuqishëm. Efekte e lobimit serb e mos lobimit tonë do lënë pasoja edhe për shumë vite, ngase tash krijohen urat e miqësi, lidhjeve të reja pro realizimit të interesave serbe’’ tha ai.