Varrezat ortodokse të serbëve në Prishtinë janë duke u zbrazur gjithnjë e më shumë, pasi familjarët e tyre po i bartin trupat e më të dashurve në Serbi.
Kështu shkruan Radio Kim, sipas së cilës, sot në Ditën Shpirtrave, pak serbë kanë qëndruar në varrezat serbe në Prishtinë për të vizituar varret e të dashurve.
E vizitorja Kosar thotë se varrezat janë mbuluar me bari dhe nuk po trajtohen mirë. Sipas saj, është vështirë të besosh se çdo herë e më pak njerëz vizitojnë varrezat.
“Nuk e di pse po ndodh kjo, për shkak të problemit me transport apo cka”, ka thënë ajo.
Radio Kim raporton se gjatë viteve të fundit, mbetjet mortore të serbëve janë larguar nga varrezat në Prishtinë dhe janë transferuar në Serbinë qendrore.
“Jemi të pakënaqur kur shohim se si mbetjet mortore po largohen nga këtu. Mendoj se trupat duhet të qëndrojnë këtu, sepse janë varrezat ortodokse”, ka thënë tutje ajo.
Kujtojmë se serbët nga pjesa veriore e Mitrovicës sot vizituan një varrezë në pjesën jugore të qytetit. Atje ata u organizuan, autobusë dhe u shoqëruan nga policia. /Indeksonline/