Katër shtetas serbë të arrestuar gjatë fundjavës në Gjakovë, të dyshuar si oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, do të vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e ndalimit, deri në një vendim të mëtejmë të gjykatës.
Lajmi është konfirmuar nga gjykatësi i çështjes, Samedin Cena.
Të dyshuarit me inicialet B.R., N.V., P.K. dhe M.S., të cilët kishin hyrë në Kosovë të paraqitur si pelegrinë, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Seanca fillestare ndaj tyre u mbajt të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Prokuroria e rastit, përfaqësuar nga prokurorja Venera Shala, ka kërkuar caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit, duke u bazuar në dyshimet e bazuara dhe nevojën për vazhdimin e hetimeve.
“Propozimi për caktimin e paraburgimit është bërë në bazë të arsyeve konkrete,” deklaroi Shala. “Gjithashtu, është parashikuar që sa më parë të merren në pyetje të pandehurit dhe dëshmitarët, ndërsa varësisht nga rezultatet do të ndërmerren veprime të tjera hetimore.”
Gjykata pritet të marrë një vendim mbi kërkesën e Prokurorisë në ditët në vijim.