Serbët e Kosovës të ndarë në Beograd: Disa në mbrojtje të Vuçiqit e disa pro studentëve

Përderisa ka pasur vazhdimisht raportime se serbë nga Kosova po paguhen për të dalë kundër protestave të studentëve dhe për ta mbrojtur presidentin serb Aleksandar Vuçiq, dhjetëra studentë e qytetarë serbë janë nisur të premten nga veriu i Kosovës për Beograd për ta mbështetur protestën e studentëve.

Nesër, më 15 mars, do të mbahet “protesta më e madhe ndonjëherë në Serbi”. Studentët serbë janë duke protestuar qe sa muaj në kërkim të përgjegjësisë nga shteti për vdekjen e 15 personave më 1 nëntor, nga shembja e strehës së një stacioni të hekurudhës në Novi-Sad.

Në mediat në Serbi, ditëve të fundit ka pasur raportime se qytetarë serbë nga Kosova kanë shkuar në një organizim nga ata që e quajnë veten “studentë” që kanë ngritur një kamp para Presidencës serbe. Siç është raportuar, edhe pse ky grup e quan veten studentë, aty ka të moshuar e madje edhe ish-pjesëtarë të njësitit famëkeq të ushtrisë serbe “Beretat e Kuqe”.

Alternativna” ka raportuar të premten se serbë të Kosovës kanë thënë se kanë qenë të detyruar të dalin në mbështetje të këtij kampi. Qytetarë të shumtë, sipas raportimit, kanë thënë se janë kontaktuar nga shefat në vendet e punës se “është obligim pune” për të shkuar në Beograd. Po ashtu është raportuar në vazhdimësi se atyre u është garantuar pagesë. Ky kamp po konsiderohet si “mburojë” për Vuçiqin para protestës së paralajmëruar për 15 mars nga studentët.

Ndërkohë, “Kossev” ka shkruar të premten po ashtu se nga Mitrovica e Veriut janë nisur të premten edhe 60 studentë e qytetarë serbë në mbështetje të protestës së paralajmëruar të studentëve.

Goran Antiq, pronar i një kompanie autobusësh në Kosovë, ka thënë se janë rrugës për Beograd dhe se gjithçka ka shkuar mirë.

E një ditë më herët, tek foli për “Danas”, Antiq ka thënë se po mundëson transport falas për studentët nga Kosova që duan t’i mbështesin kolegët në Serbi.

Antiq ka thënë se serbët e Kosovës nuk janë pasivë, por janë të frikësuar, siç ka thënë, më shumë nga ana e Beogradit.

“Nuk është se janë plotësisht pasivë, por janë të frikësuar. Këtu ka shpesh trazira, dhe situata ndryshon çdo ditë. Situata është e tensionuar. Të gjithë po luajnë me ne dhe po e përdorin këtë për pikë politike. Kjo bëhet më shumë nga ata në Beograd, sesa nga ata në Prishtinë… njerëzit janë të lodhur nga kjo lloj jete. Një masë e madhe e njerëzve ka të afërm që punojnë në institucione, prandaj frikësohen për të ardhmen e të dashurve të tyre, që mos të humbasin punën. Ky është një problem i madh”, ka thënë ai.

Antiq i cili ka transportuar edhe më herët studentë nga Kosovës për të marrë pjesë në protestat e studentëve në Serbi, ka theksuar se një ditë i është ndaluar nisja e autobusëve të kompanisë së tij nga stacioni i vetëm i autobusëve në Mitrovicën e Veriut. Sipas tij ata janë lejuar të nisen vetëm “pasi që gazetarët u përfshinë në histori”. Ai ka thënë se tashmë janë mësuar me presionin nga Beogradi.

“Presioni vjen më shumë nga Beogradi sesa nga Prishtina. Disa vite më parë na thyen shtatë xhama të autobusëve, dhe këtë e bënë serbët, jo Prishtina. Problemi ishte qëndrimi im kritik ndaj regjimit në kohën kur e zgjodhën Irineun për patriark të Serbisë”, ka deklaruar ai.

I pyetur se si i shikon deklaratat e zyrtarëve nga Beogradi, të cilët thonë në vazhdimësi se u intereson që njerëzit në Kosovë të mbijetojnë, Antiq u përgjigj duke thënë se regjimi në Beograd vazhdon ta gënjejë popullin.

“Ky regjim vazhdon të gënjejë popullin, edhe kur bëhet fjalë për Kosovën dhe çdo gjë tjetër. Ata po i dëbojnë njerëzit nga Kosova, askush nuk po vendoset atje. Pa marrë parasysh presionin nga Prishtina, ata veprojnë si të sinkronizuar, e shtypin popullin dhe ata nuk e dinë se ku ndodhen më”, ka deklaruar ai.

Serbia është duke u përballur vazhdimisht me protesta masive të studentëve që po kërkojnë drejtësi për 15 viktimat e 1 nëntorit kur në Novi-Sad u shemb streha e një stacioni hekurudhor.