Serbët e Kosovës paguhen nga Vuçiçi për “ta mbrojtur” nga studentët, thotë Sharoviçi

Aktivistët në Serbi e akuzojnë regjimin për presion ndaj serbëve të Kosovës. Ata thuhet se paguhen nga 100 euro për t’u bërë pjesë e “kampit mbështetës” të presidentit serb në Beograd.

Nemanja Sharoviç, udhëheqës i lëvizjes “Dashuri, Besim, Shpresë” në Serbi, ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, për shantazhin e ushtruar ndaj serbëve të Kosovës për t’i detyruar ata të bashkohen në kampin e ngritur para Presidencës së Serbisë.

Sharoviçi ka thënë se Partia Progresive Serbe (SNS) i detyron serbët e Kosovës të shkojnë në Beograd dhe t’i bashkohen kampit që mbështet regjimin kundër studentëve. Ai ka theksuar se SNS-ja i paguan ata për “ta mbrojtur” Vuçiçin nga studentët.

“Ata janë duke i shantazhuar serbët nga Kosova, njerëzit që marrin asistencë sociale atje, që të vinë gjithashtu. Dhe SNS-ja i paguan të gjithë. E pagesat dallojnë, për ata më të rëndësishmit nga 100 euro, ndërsa ata që janë më pak të rëndësishëm marrin 50 euro”, ka thënë Sharoviçi për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1” të hënën.

Nga fundjava e kaluar, një grup serbësh, të cilët e identifikojnë veten si studentë, janë mbledhur në një park afër Presidencës së Serbisë, ku kanë ngritur një kamp. Ky kamp është cilësuar si “mburojë” për Vuçiçin para protestës së planifikuar për 15 mars.

Ndryshe, ngjarja tragjike në Novi Sad ka nxitur zemërimin e qindra mijëra studentëve në mbarë Serbinë. Ata kanë nisur kryengritjen e madhe kundër regjimit autoritar të Vuçiçit, të cilin e akuzojnë për korrupsion, nepotizëm e  degradim të demokracisë.