Senatori amerikan Sanders: Su*lmet e Izraelit ndaj Palestinës, akte barbare

Senatori amerikan Bernie Sanders i cilësoi si “barbare” sulmet që Izraeli vazhdon kundër Palestinës dhe deklaroi se populli amerikan i sheh këto sulme si “akte imorale që shkelin ligjin ndërkombëtar”, transmeton Anadolu.

Në një postim në llogarinë e tij në platformën sociale X, Sanders citoi artikullin e “New York Times” (NYT) me titull “Demokratët duhet të kuptojnë se pikëpamjet mbi Izraelin po ndryshojnë me shpejtësi” dhe bëri një vlerësim mbi këtë temë.

“Populli amerikan e kupton se lufta barbare e (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu kundër popullit palestinez është jashtëzakonisht imorale dhe një akt që shkel ligjin ndërkombëtar”, tha Sanders.

Duke u bërë thirrje demokratëve të qëndrojnë me guxim kundër Komitetit të Veprimit Politik Amerikano-Izraelit (AIPAC), Sanders tha: “Kur do të mbledh guximin udhëheqja demokrate për t’iu kundërvënë AIPAC-ut dhe për të thënë ‘Tashmë nuk do të jepet më ndihmë ushtarake për Izraelin’?”.

Artikulli i NYT tërhoqi vëmendjen për suksesin e kandidatit musliman Zohran Mamdani, i cili fitoi zgjedhjet paraprake për kryetar bashkie pavarësisht se qëndrimi i tij ishte në kundërshtim me pikëpamjet e elitave të Partisë Demokratike.

Artikulli paralajmëron se nëse elitat e Partisë Demokratike vazhdojnë t’i japin Izraelit mbështetje “pothuajse të pakushtëzuar” pavarësisht kundërshtimit publik, partia “do të bëhet më e pambrojtur ndaj një rebelimi politik në stilin Mamdani në zgjedhjet e ardhshme paraprake presidenciale”.

Artikulli i cili shqyrtoi profilet e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2028 vlerëson se “rruga është e hapur” për një kandidat që është i gatshëm ta bëjë mbrojtjen e të drejtave palestineze “një simbol të qëndrueshmërisë morale” dhe ta vazhdojë këtë luftë me vendosmëri.

The post Senatori amerikan Sanders: Su*lmet e Izraelit ndaj Palestinës, akte barbare appeared first on Kosovapost.net.