Senati i SHBA-së miratoi një rezolutë që do ta ndalonte presidentin Donald Trump të ndërmerrte veprime të mëtejshme ushtarake kundër Venezuelës pa autorizimin e Kongresit, duke i hapur rrugën shqyrtimit të mëtejshëm në dhomën me 100 anëtarë.
Votimi për një masë procedurale për të çuar përpara rezolutën e fuqive të luftës ishte 52 pro dhe 47 kundër.
Votimi u zhvillua disa ditë pasi forcat amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolas Maduro në një bastisje dramatike ushtarake në Karakas të shtunën dhe shënoi një ndryshim në dhomën me 100 anëtarë, shkruan Reuters.
Republikanët e Trumpit kishin bllokuar dy përpjekje të mëparshme për të çuar përpara rezoluta të ngjashme në Senat vitin e kaluar, pasi administrata rriti presionin ushtarak mbi Venezuelën me sulme ndaj anijeve në Karaibe jugore dhe Paqësorin lindor.
Megjithatë, votimi që bllokoi rezolutën e fundit në nëntor ishte vetëm 51 pro dhe 49 kundër , menjëherë pasi këshilltarët kryesorë të Trumpit u thanë ligjvënësve se nuk planifikonin të ndryshonin qeverinë ose të kryenin sulme në territorin e Venezuelës.
Pas kapjes së Maduros, disa ligjvënës akuzuan administratën për mashtrim të Kongresit, përfshirë demokratët dhe disa republikanë prapa skenave.
Kapja e Maduros ka ngritur gjithashtu shqetësime se ai mund të nisë veprime ushtarake për të pushtuar Grenlandën , një ishull arktik që është territor i Danimarkës.
Ndryshe, vota që përgatit terrenin për shqyrtim të mëtejshëm në Senat ishte një fitore e rëndësishme për ligjvënësit të cilët kanë argumentuar se Kongresi, jo presidenti, duhet të shpallë luftë, siç përcaktohet në Kushtetutë.
Megjithatë, masa përballet me pengesa të mëdha përpara se të hyjë në fuqi.
Edhe nëse miratohet në Senat, për t’u bërë ligj, rezoluta duhet të miratohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët dhe të anashkalojë një veto të pritur të Trumpit, e cila do të kërkonte shumicë prej dy të tretash në të dyja dhomat.










