Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, ka reaguar pas rinumërimit të votave në këtë komunë, duke e cilësuar procesin si “manipulim industrial”, të ngjashëm me atë të vitit 2010.
Ai kujtoi se edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 kishte kërkuar rinumërim të përgjithshëm për shkak të dyshimeve për manipulime në Qendrat Komunale të Numrimit dhe votat e diasporës, por kërkesa ishte injoruar nga KQZ dhe partitë politike.
Sipas tij, rezultatet e rinumërimit në Prizren dëshmojnë se pothuajse të gjithë kandidatëve të të gjitha partive u janë prekur votat, çka sipas Selmanajt tregon një plan të mirëorganizuar për abuzim masiv.
Ai u distancua nga çdo veprim që ka cenuar vullnetin e qytetarëve dhe kërkoi që KQZ, Prokuroria dhe institucionet tjera të ndërhyjnë menjëherë për të rikthyer rregullsinë e procesit.
Selmanaj tha se rinumërimi i të gjitha kutive në nivel vendi është i vetmi opsion për të zbardhur të vërtetën dhe për të rikthyer besimin në procesin zgjedhor.










