Selmanaj i përgjigjet Kurtit pas ftesës për koalicion: S’kemi elektorat të përbashkët

Anëtari i kryesisë së LDK-së dhe ish-deputeti, Driton Selmanaj, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk është partner i natyrshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe se katër vitet e fundit kanë dëshmuar dëmin që ajo i ka sjellë vendit.

Sipas Selmanajt, ftesa e Kurtit për koalicion nuk është e sinqertë dhe synon përfitime të tjera politike.

“Kjo ka këtë lojën perfide, që në fakt nuk e dëshiron koalicionin me LDK-në, jam i bindur, sepse po ta dëshironte, do ta ruante. Me xhelozi, jo pas pesëdhjetë ditësh do ta prishnim atë koalicion. Jam i bindur që ky ka matematikë tjera në kokën e tij”, tha Selmanaj ne ATV.

Ai shtoi se lidhja mes Vetëvendosjes dhe PDK-së është më e natyrshme, duke përmendur ngjashmëritë ideologjike dhe kalimin e shumë figurave nga njëra parti te tjetra.

“Shumica e deputetëve të PDK-së në Vetëvendosje i ki të ish-PDK-së. Shumë struktura sot në pozita të rëndësishme në administratën e shtetit janë njerëz të PDK-së të konvertuar në militantë të zjarrtë të Lëvizjes Vetëvendosje. Janë parti që themelet pothuajse i kanë bukur të ngjashme, ideologjinë e kanë shumë të ngjashme, orientimet besa në shumë aspekte i kanë të ngjashme”, tha Selmanaj.