Opozita shqiptare do të pres ofertën nga pushteti dhe opozita maqedonase lidhur me mbështetjen e mundshme në raundin e dytë presidencial ndaj Stevo Pendarovskit apo Gordana Siljanovskas.
Megjithatë, deri atëherë qëndrimi i dy subjekteve që mbështetën kandidaturën e Blerim Rekës, por edhe i vet shtabit zgjedhorë të Rekës mbetet se tregti me votuesit nuk do të ketë.
Nga Lëvizja Besa thonë se procesi zgjedhor për ta ka përfunduar, duke shtuar se deri më tani nuk janë kontaktuar as nga shumica dhe as nga opozita për marrëveshje në raundin të dytë zgjedhor.
Për ne ky cikël zgjedhor ka përfunduar. Mbetet në votuesit që të vendosin vetë për të drejtën e tyre sovrane nëse do ta shfrytëzojnë apo jo në rrethin e dytë, pa ndikuar apo bërë thirrje për mbështetje ose bojkot të procesit – tha Kastriot Rexhepi, Nënkryetar i Lëvizjes Besa.
Që pas mbylljes së procesit zgjedhorë, por edhe paraprakisht gjatë fushatës, kandidati Reka dhe dy liderët e partive që mbështetën Rekën në zgjedhje, Ziadin Sela dhe Bilall Kasami kishin deklaruar se në raundin e dytë nuk do të bëjnë tregti me trupin votues, duke shtuar se qytetarët në rrethin e dytë mund të veprojnë sipas bindjeve të tyre.
Pas këtyre qëndrimeve reaguan dy kandidatët e mbetur në garën presidenciale. Gordana Siljanovska theksoi se me votat e Blerim Rekës, fitorja për të do të ishte e garantuar, ndërsa Stevo Pendarovski qëndrimin e opozitës shqiptare e ka pritur me optimizmin se pjesa më e madhe e trupit votues do të votojë për të më 5 maj.