Policia dhe Dogana e Kosovës kanë arrestuar një qytetar të Maqedonisë së Veriut duke transportuar në Kosovë mbi 16 mijë franga zviceranë, të gjitha metalike nga 2 frang.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më datë 12.07.2025, rreth orës 21:15, në pikën kufitare Hani i Elezit, ku është ndaluar për kontroll një veturë e tipit Audi A2, ngjyrë e gjelbër metalike, me targa të Republikës së Maqedonisë Veri (RMV), e cila drejtohej nga shtetasi i Maqedonisë së Veriut, me iniciale (S. Xh.) i lindur më 1981 në Shkup.
Pas kontrollit të rregullt në vijën e parë dhe evidentimit të dokumentacionit përkatës, automjeti siç njofton policia, është selektuar për kontroll të mëtejmë.
“Gjatë kontrollit të detajuar nga zyrtarët doganorë dhe policorë, nën ulëset e përparme të veturës janë gjetur qese plastike të vendosura në pjesë të ndryshme të automjetit, të mbushura me monedha metalike 2 franga zvicerane (CHF), të dyshuara si të falsifikuara. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante policore përfshirë ato të hetuesisë”, thuhet në njoftim.
Pas inventarizimit paraprak, rezulton se janë sekuestruar gjithsej 8 mijë e 76 monedha nga 2 CHF me vlerë 16152 CHF, të gjitha të dyshuara si të falsifikuara.
“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe është iniciuar rasti penal për “Falsifikim të parasë”. Ndërsa vetura si dhe monedhat e dyshuara janë sekuestruar, ndërsa rasti i është dorëzuar njësisë kompetente të hetimeve rajonale për procedura të mëtejme hetimore dhe procedurale”, thuhet në njoftim.Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, thuhet në njoftim se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar, me fokus të veçantë ndaj veprave penale që cenojnë sistemin financiar dhe sigurinë publike.
The post Sekuestrohen mbi 16 mijë franga në monedha nga 2 frang në kufi, arr*estohet qytetari nga Maqedonia e Veriut appeared first on Kosovapost.net.