Një person është arrestuar mbrëmjen e së hënës nga Policia e Kosovës në Podujevë, nën dyshimin se ka organizuar lojëra të fatit në mënyrë të kundërligjshme.
Policia njofton se, njësitë policore kanë ndërhyrë në një lokal ku i dyshuari është hasur në flagrancë duke zhvilluar veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar 85 euro para të gatshme, 1,000 dinarë serb, si dhe pajisje elektronike të cilat dyshohet se janë përdorur për funksionimin e bixhozit të paligjshëm.
“Podujevë / 13.10.2025 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se nga njësiti policor në një lokal është hasur duke organizuar lojëra të fatit. Si prova materiale se në atë lokal janë zhvilluar lojëra fati janë sekuestruar: 85 euro para të gatshme, 1000 dinarë dhe pajisje të ndryshme elektronike që mundësojnë zhvillim e kësaj veprimtarie të kundërligjshme. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Policia njofton se pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit të rastit është dërguar në mbajtje, në pritje të procedurave të mëtejshme ligjore.
Autoritetet kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me aksione të tilla në luftën kundër veprimtarive të paligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.