Sekuestrimi i cisternave të naftës: Venezuela akuzon SHBA-të për “zhvatje”

Venezuela ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “zhvatjen më të madhe” në një seancë emergjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York.

Kapja e dy cisternave të naftës venezueliane nga Washingtoni ishte “më e keqe se pirateria”, tha ambasadori venezuelan në OKB.

Mbledhja emergjente e Këshillit të Sigurimit u thirr për të diskutuar sekuestrimin e cisternave, i cili u zhvillua në brigjet e Venezuelës në fillim të këtij muaji.

SHBA-të kanë thënë gjithashtu se po ndiqnin një cisternë të tretë nafte venezueliane.

Presidenti Trump ka akuzuar Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, se drejton një kartel droge dhe tha se bandat kishin vepruar pa u ndëshkuar për një kohë shumë të gjatë.

I dërguari i Venezuelës në OKB tha se SHBA-të po e nënshtrojnë vendin e tij ndaj “shantazhit më të madh” në historinë e saj.

Duke folur në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Samuel Moncada tha se “jemi në prani të një fuqie që vepron jashtë ligjit ndërkombëtar, duke kërkuar që venezuelianët të largohen nga vendi ynë dhe ta dorëzojnë atë”.

Lidhur me sekuestrimin e naftës venezueliane nga SHBA-të, ai shtoi: “Po flasim për plaçkitje, grabitje dhe rikolonizim të Venezuelës.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka juridiksion në Karaibe”.

Duke iu referuar industrisë së naftës në Venezuelë, ai tha: “Çfarë lidhje ka kjo me drogën?”

Në përgjigje, ambasadori i SHBA-ve në OKB, Michael Waltz, i tha Këshillit të Sigurimit se SHBA-të nuk e njohin Maduro si udhëheqësin legjitim të Venezuelës.

“Aftësia e Maduro-s për të shitur naftën e Venezuelës i mundëson pretendimet e tij mashtruese për pushtet dhe aktivitetet e tij narko-terroriste”, tha Waltz.

Gjatë një vizite në një panair tregtar në Karakas, Presidenti Maduro tha se “Këshilli i Sigurimit po i jep mbështetje të madhe Venezuelës”.

Rusia dhe Kina akuzuan SHBA-rë për ngacmim dhe agresion.

SHBA-të po “shkatërronin në mënyrë të paligjshme” anije civile në Detin e Karaibeve, tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, në takimin e OKB-së.

Ai paralajmëroi se vendet e tjera mund të jenë të radhës.