Sekretet e Bibliotekës Kombëtare: Miloti sjellë historinë e kupolave, librin për Skënderbeun dhe zyrën ovale

Biblioteka Kombëtare e Kosovës konsiderohet si një nga objektet më unike jo vetëm në vend – magjike për çdo vizitor dhe simbol i identitetit tonë kulturor.

Gjithçka nisi më 12 gusht 1974, kur u hodhën themelet e një ëndrre.

Tetë vite punë të pandërprerë, 42 kompani të angazhuara, qindra duar që punuan ditë e natë — për ta ngritur këtë objekt monumental.

Ashtu si çdo krijim i madh arkitektonik, edhe kjo ndërtesë ka kaluar mes lavdërimeve dhe kritikave.

Por një gjë ka qenë thelbësore: arkitekti i njohur Bashkim Fehmiu kishte vetëm një kërkesë për arkitektin Andrija Mutnjaković: “Të mos kursehet në materialin që do të përdoret”.

Kështu ka treguar Blerina Rogova Gaxha, drejtuese e Bibliotekës.

Të gjitha materialet, përveç kupolave, janë nga trojet e Kosovës, ndërsa punimet u kryen nga kompanitë e njohura “Ramiz Sadiku” dhe “Tefik Çanga”.

Sot, Biblioteka ruan afro 2 milionë libra — dy milionë histori, dy milionë jetë dhe miliona frymë që kanë lexuar e lënë gjurmë.

Mes tyre, ndodhet edhe një libër për Skënderbeun, i cili daton nga vitet 1500 dhe ruhet me shumë kujdes brenda trezorit të këtij objekti.

Arkitekti kroat Andrija Mutnjaković u frymëzua nga trashëgimia shqiptare e mesjetës, nga ornamentet, gjeometria, guri dhe struktura tradicionale.

Ky frymëzim e shndërroi Bibliotekën në një simbol të veçantë të identitetit arkitektonik shqiptar.

A janë kupolat plisa shqiptarë?

A e dini se jo vetëm presidenti i SHBA-së ka një zyrë ovale?

Një dhomë që rrallëherë i shfaqet publikut dhe shumë përgjigje tjera, në reportazhin e Milot Hasimjës, në Krejt Kapak me Milotin, në Klan Kosova.