Sekretari i Vetëvendosjes me njohuri të thella se si duket manipulimi i votave jashtë Kosovës, sulmon LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje – partia e cila doli e para nga Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit – ka thënë  se ka evidentuar parregullsi të shumta në votimin e mërgatës përmes postës.

Sekretari Organizativ i LVV-së, Alim Rama, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka vlerësuar se te votat e mërgatës përmes postës është evidentuar një rritje artificiale për Lidhjen Demokratike të Kosovës, në shpërputhje “të thellë me rezultatet në Kosovë dhe me ato në përfaqësitë diplomatike”

“Parregullsitë pikësëpari kanë të bëjnë me rritjen artificiale të LDK-së me mbi 400 për qind krahasuar me votimin në përfaqësi diplomatike, por ato bëhen edhe më serioze kur analizohen votat për kandidatin e kësaj partie, Hysen Çekaj, si dhe të disa kandidatëve tjerë. Derisa në Kosovë ai ka marrë 11 mijë 268 vota dhe vetëm 98 nga votimi në ambasada, pas numërimit të votave me postë ai renditet si kandidati i tretë më i votuar, me plot 12 mijë vota deri tash”, ka shkruar ai.

Sipas Ramës votimi për Çekajn dhe të tjerët është i kurdisur dhe i manipuluar nga një grup i organizuar.

“Në këto fletëvotime dallohet qartë një shabllon i përsëritur: votat shkojnë për kandidatët me numër Lumir Abdixhiku 1, Kujtim Shala 2, Doarsa Kica Xhelili 3, Hysen Çekaj 80, ndërsa më pas kandidatëve të tjerë si: Bahrije Hyseni 99, Alban Zogaj 22, Gazmend Muhaxheri 5, Jeta Rafuna Hasani 45, dhe Fatmir Asllani 61. Kjo shpërputhje e votave bëhet edhe më e dukshme kur shikohet dallimi mes votave të LDK-së në komuna të caktuara, siç është rasti i komunës së Skenderajt, ku numri i votave përmes postës nga mërgata 497 e tejkalon numrin e votave të marra në Kosovë 419”, ka shpjeguar ai.

Shumë fletëvotime që përmbajnë votën për Çekajn dhe të tjerët, sipas Ramës duken si kopje identike, ngjashmëri kjo që ngre dyshime mbi “autenticitetin e tyre”.

“Ajo që bie në sy është fakti se përmes votimit në konsullatën e Shtutgart-it, ku ai jeton, Çekaj ka arritur të sigurojë vetëm 33 vota. Ndërkohë, në të gjitha konsullatat e tjera në Gjermani, përfshirë ambasadën në Berlin, ai ka arritur t’i marrë 22 vota. Në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në shtetet e tjera, votat për Çekajn shkojnë deri në 5”.

Parregullsitë dhe ndërhyrjet janë evidente, por, sipas tij, mbetet e paqartë se ku kanë ndodhur ato.

“Gjatë regjistrimit të votuesve, në procesin e votimit me postë, në kutitë postare apo gjatë periudhës kur fletëvotimet kanë qenë nën administrimin e KQZ-së”.

Rama ka bërë të ditur se shkeljet dhe parregullsitë e evidentuara tashmë janë raportuar në polici dhe prokurori.

“Megjithatë, prokuroria ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim”.

Ndryshe LVV-ja ka dorëzuar  edhe një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke theksuar se shumë fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga numëruesit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Të martën pasdite përfundoi numërimi i të gjitha votave që kanë ardhur me postë nga diaspora në Kosovë.

Nga 187 pako të numëruara gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje ka grumbulluar 31 mijë e 963 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës 18 mijë e 933 vota apo 30.55 për qind. E treta është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 5 mijë e 878 vota apo 9.48 për qind.

Ndërkohë koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate ka siguruar 2 mijë vota, apo 3.23 për qind.

Edhe në votat e hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës anembanë botës, LVV doli e para me 12 mijë e 261 vota të grumbulluara. PDK-ja e dyta me 1 mijë e 175 vota ndërkohë LDK-ja e treta me 1 mijë e 9 vota të grumbulluara.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, procesi i numërimit pritet të përfundojë të mërkurën, kur pritet të numërohen votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.