Sekretari amerikan i Thesarit: Zelensky prishi marrëveshjen më të lehtë në botë

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka akuzuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për prishjen e marrëveshjes SHBA-Ukrainë për mineralet, duke e quajtur atë “marrëveshjen më të lehtë në botë”.

Në një intervistë me gazetarin Tucker Carlson, të publikuar në rrjetin social X, Bessent deklaroi se “Zelensky ka gënjyer tre herë administratën e presidentit Donald Trump për gatishmërinë e tij për të nënshkruar marrëveshjen”.

Sipas Bessent, Zelensky fillimisht refuzoi të nënshkruante dokumentet gjatë një konference në Mynih, më pas më 28 shkurt pati një mosmarrëveshje në Zyrën Ovale dhe më në fund më 28 mars ai hodhi poshtë projekt-marrëveshjen, duke pretenduar se ishte ndryshe nga versionet e mëparshme, përcjell Telegrafi.

Bessent tha se presidenti ukrainas kishte krijuar një “hendek të madhësisë së Kanionit të Madh” duke e bërë këtë, duke shtuar se Zelensky mund t’i kishte bërë komentet e tij gjatë një darke private në Uashington.