Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Kërcënimi që vjen nga Kina real, të rriten shpenzimet në mbrojtje

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar të shtunën se kërcënimi që vjen nga Kina është i vërtetë dhe se mund të jetë i menjëhershëm.

Ai iu ka bërë thirrje aleatëve të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Indo-Paqësorit që të rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

Hegseth ka nënvizuar se rajoni i Indo-Paqësorit është prioritet për administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Nuk ka asnjë arsye për ta fshehur. Kërcënimi që paraqet Kina është real dhe mund të jetë i menjëhershëm”, ka thënë Hegseth.

Ai ka shtuar se çdo tentativë nga Kina për të pushtuar Tajvanin “do të sillte pasoja shkatërruese për Indo-Paqësorin dhe për botën”, dhe po ashtu përsëriti komentet e Trumpit se Kina nuk do të pushtojë Tajvanin gjatë periudhës sa ai është në detyrë.