Sejdiu: PSD-së i janë ofruar gjashtë ministri për t’u bërë pjesë e Qeverisë
Nënkryetari i PSD-së, Dardan Sejdiu ka thënë se këtij subjekti i është bërë ofertë për t’u bërë pjesë e Qeverisë.
Sejdiu, në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se PSD ka një numër mjaft të madh deputetësh, dhe për këtë numër u janë ofruar pesë apo gjashtë ministri.
“Për numrin e deputetëve, deri në pesë apo gjashtë ministri na janë premtuar, ose na janë thënë”, tha ai.
Nënkryetari i PSD-së, ka thënë se qëllimi i PSD-së nuk është përfshirja në ndonjë qeveri pa u mbajtur zgjedhjet, por sipas tij votat e këtij subjekti do të përdoren për të bërë presione në të mirë të publikut.
“Ne nuk jemi këtu për t’u bërë pjesë e kësaj Qeverie. Ne nuk do të jemi pjesë e kësaj Qeverie dhe asnjë Qeverie që del pa proces zgjedhor. Kemi vendosur të sjellim një frymë të re në opozitë dhe kjo është që votën ta përdorim për të kushtëzuar në të mirë të publikut”.
Sejdiu ka thënë se tashmë PSD ka ndikuar që të arrihen disa suksese, si Ligji i pagave apo Ligji për dialog./Telegrafi/