Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i cili duket ndryshe, por mënyra se si është sjellë gjatë fushatës zgjedhore, krijon përshtypjen se nuk do të qeverisë ndryshe.
Në Rubikon, ai ka shtuar se është për keqardhje kur një politikan për të cilin është krijuar përshtypja se është i mençur dhe nuk është i korruptuar, nuk pranon të del dhe të ballafaqohet në debate.
“Unë kam qenë i angazhuar në politikë, shumicën e kohës në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kam qenë i angazhuar me bindje të thellë dhe me ide të thellë se duhet të promovojmë një mendësi tjetër në politikë dhe një mundësi për transformim të kësaj shoqërie”.
“Sonte po e them për herë të parë ndoshta publikisht – gjatë këtyre diskutimeve që i kemi pasur këtu – mendoj që në fakt Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i cili duket ndryshe, por mënyra se si është sjellë në këto zgjedhje, nuk po krijon përshtypjen se do të qeverisë ndryshe”.
“Nëse dikush ka këtë popullaritet dhe përkrahje dhe reziston e heziton të ballafaqohet – përkundër përshtypjes së përgjithshme të një superioriteti intelektual, të një superioriteti programorë, të një pastërtie në aspektin e korrupsionit – atëherë nuk ke miza pas veshi”.
“Dil, përballu, ballafaqohu dhe me këtë përballje e ballafaqim besoj se do ta kapërcenin numrin të cilin ata vet e kanë shpallë – referendum që kërkon 51 për qind”.
“Besoj se kështu do të dilnin sipër këtij numri si Vetëvendosje, por sidoqoftë, shpresoj dhe besoj se është fushata e fundit kur kemi kësi lloj mendësie, pa program dhe pa ballafaqim”.