Sejdiu: 48% e qytetarëve nuk mund të përballojnë shpenzime të papritur prej 200 eurove

Analisti i njohur Dardan Sejdiu ka publikuar një postim ku nxjerr në pah realitetin ekonomik dhe social të Kosovës, larg imazheve të “suksesit” të prezantuar nga qeveria e Kurtit.

Sipas Sejdiut, situata e qytetarëve është alarmante: rreth 90,000 familje përballen me nevojën për subvencione të dimrit për faturat e rrymës, ndërsa 48% e qytetarëve nuk mund të përballojnë asnjë shpenzim të papritur prej 200 eurosh.

Një pjesë e madhe e shtëpive, rreth 21.6%, jetojnë vetëm me batanije për të ngrohur dhomat, ndërsa 42.2% e qytetarëve e shohin mishin si luks dhe nuk e konsumojnë më shumë se tre herë në javë.

Sejdiu thekson gjithashtu se 44.6% e familjeve kanë borxhe ndaj bankave, një barrë që rëndon dukshëm jetesën e tyre, ndërsa gratë kryejnë mesatarisht 6.2 orë punë të papaguar çdo ditë nëpër shtëpi, duke mbajtur në këmbë një ekonomi që shteti duket se e ka harruar.

Në postimin e tij, analisti kritikon përdorimin e termit “begati” nga qeveria Kurti për situatën aktuale dhe e përshkruan këtë realitet si një diagnozë të shtetit, i cili ka harruar jetën reale të qytetarëve. Ai apelon për ndërgjegjësim dhe veprim konkret, duke theksuar se realiteti i përditshëm i qytetarëve është larg zhvillimit të premtuar dhe se ndryshimi i gjendjes është i domosdoshëm.

Postimi i plotë:

Shpesh po mi kërkoni shifrat pa shumë “autopsi”, hajt thash t’i bimë shkurt.

Kjo është aritmetika e vërtetë e Kosovës në fillim të 2026-ës, larg videove e grafikave të montuara e suksesit të shpikur nëpër zyra të qeverive tash e 26 vjet!

– 90,000 familje hyjnë në dimër tu pritë lëmoshë (subvencion) për faturën e rrymës. Mbi 25% e ekonomive familjare janë në ndihma dimri!

– 48% e qytetarëve nuk e përballojnë dot asnjë shpenzim të papritur prej 200 eurove, paramendojeni me pas urgjencë, gjysma e popullatës së Kosovës nuk ka mundësi me përballu!

– 21.6% e shtëpive rrinë me batanije, se s’kanë takat financiar me i nxe dhomat!

– 42.2% e njerëzve e kqyrin mishin si luks, dhe nuk kanë mundësi me e konsumu më shumë se 3 herë në javë!

– 44.6% e familjeve e kanë borxhin ndaj bankave si lak në fyt, një barrë që s’i lë me marrë frymë!

– 6.2 orë punë të papaguar bëjnë gratë çdo ditë nëpër shtëpi, duke mbajtur në këmbë një ekonomi që shteti e ka harru!

Kur i sheh këto shifra, fjala “begati” që e përdor kjo qeveri nuk është veç një gabim i vogël retorik. Është diagnozë e një shteti që i ka ngatërru dritat e neonit me ngrohtësinë e vërtetë të shtetit!

Shteti që u bë arkëtar i pareve dhe votës së diasporës, po harroi me u bë arkitekt i jetës më të mirë në Kosovë.

Mos u rreni! Nuk jemi tu u zhvillu, jemi tu u fikë kadale, me një karamelë në gojë gjatë verës, dy gjatë dimrit, e me sytë nga valixhja dhe bileta një drejtimshe!

Rruga e mbarë? E kismet, po shihemi në terminal.