“Secrets We Keep” – Seriali kriminal që po mahnit shikuesit në Netflix, me vlerësim perfekt 100 për qind në Rotten Tomatoes

Tifozët e Netflix janë të mahnitur nga seriali kriminal danez “Secrets We Keep”, një triller “thellësisht shqetësues” që ka marrë vlerësimin maksimal 100% në Rotten Tomatoes.

Seriali me gjashtë episode u lançua së fundmi dhe ka tërhequr menjëherë vëmendje për trajtimin e temave si tensionet gjinore, klasore dhe marrëdhëniet e pushtetit në një lagje elitare të Kopenhagës.

Historia nis me zhdukjen e Ruby, një dado filipinase, nga një familje e pasur. Fqinja Cecilie, së bashku me dadon e saj Angel dhe një oficere të re policie, Aicha, zbulojnë një rrjet të errët sekretesh pas këtij rasti.

Seriali është krijuar nga skenaristja e njohur daneze Ingeborg Topsoe dhe drejtuar nga Per Fly, i njohur për suksesin e dramës politike “Borgen”.

Në rolin kryesor është aktorja Marie Bach Hansen (The Last Vermeer), ndërsa në kast përfshihet edhe Lars Ranthe (Another Round).

Foto: Screenshot/YouTube

“Secrets We Keep” është krahasuar me seriale si “The White Lotus” dhe “Adolescence”, por shumë kritikë thonë se ky prodhim nordik e trajton materialin edhe më thellë dhe me më shumë ndjeshmëri.

Faqja Collider e ka përshkruar si një “mini-serial tërheqës dhe të mprehtë që trajton qartë tensionet mes klasave”.

Përveç kritikëve, edhe shikuesit në rrjetet sociale e kanë vlerësuar lart. Njëri shkruante: “Fillon si një zhdukje e zakonshme, por shpejt shndërrohet në një rrëfim të fortë social dhe psikologjik”.

Një tjetër e quajti “një shembull të shkëlqyer të përmbajtjes europiane që ia kalon asaj amerikane”.

Regjisori i Per Fly tha se seriali eksploron “çfarë ndodh kur fasada fillon të çahet dhe sekretet dalin në sipërfaqe”, ndërsa Topsoe shtoi: “Vendosja e një historie krimi në një mjedis të tillë të kontrolluar e bën tregimin edhe më tërheqës”.

“Secrets We Keep” mund të shikohet për gati katër orë – një triller i shkurtë, por intensiv, që ia vlen plotësisht.