Seancë e re për rastin “Banjska”

Seanca e fundit për rastin ‘Banjska’ ishte zhvilluar në muajin korrik.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet një seancë e re për rastin “Banjska”, ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç.

Seanca pritet të nisë nga ora 09:00. Gjatë seancës së kaluar kishin dëshmuar zyrtarë policorë.

Në seancën e parë, e mbajtur në muajin prill, gjykata kishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj 42 të pandehurve të tjerë, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, të cilët ndodhen ende në arrati – përfshirë edhe Milan Radojiçiçin, i cili publikisht ka pranuar se e ka udhëhequr këtë sulm.

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup i armatosur kishte sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin – tani heroin – Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet e zjarrit, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë dhe kishte arrestuar gjashtë të tjerë, deri në ngritjen e aktakuzës ndaj gjithsej 45 personave.

Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejt Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, ndërsa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për organizimin e tij.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, por vetëm një ditë më pas ishte liruar nga paraburgimi.