Disa prej të dyshuarve në rastin e zhvatjes së mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve u është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë mbajtjes së seancës dëgjimore ndaj tyre.
Sipas njoftimi të Gjykatës Themelore të Prizrenit, seanca e nisur në ora 16:00 ndaj 39 të pandehurve ka mbaruar në orën 23:00 të së premtes.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kësaj seance disa nga palët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Gjatë zhvillimit të seancës, disa nga palët në procedurë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, për çka Gjyqtari i procedurës paraprake ka ndërprerë disa herë seancën dhe palëve i’u është ofruar ndihma e nevojshme përmes Emergjencës, dhe kur palët kanë qenë të gatshme ka vazhduar me seancën për caktimin e masës së sigurisë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren të caktojë masën e paraburgimit për ish-drejtorin ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, si dhe F.S., dhe Y.Ç.
Ndërkaq, për 35 të pandehurit e tjerë, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës ‘Paraqitja në Stacion Policor’ dhe’ Ndalimin’ për t’iu ofruar vendit ose personit të caktuar.
Prokuroria tha se ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë është vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro.
Prokurorët i kanë sekuestruar 23.700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme dhe pajisje elektronike gjatë bastisjeve.










