“S’besoj që investimet e biznesit tim ishin faktor vendimtar për njohje”, Pacolli flet për hapjen e ambasadës së Kosovës në Nairobi

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se njohja e Kosovës nga Kenia paraqet një nga ngjarjet më të mëdha pas shpalljes së pavarësisë, sepse “është njohja më e rëndësishme nga kontinenti afrikan”.

Për BBC-në në gjuhën serbe, Pacolli paralajmëroi hapjen e ambasadës së Kosovës në Nairobi.

“Njohja e Kenias është jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm në kuptimin politik, por edhe si një bazë për bashkëpunimin e ardhshëm ekonomik midis dy vendeve”.

“Kosova së shpejti do të hapë ambasadën e saj më të rëndësishme në kontinentin afrikan, krah për krah me vendet e tjera evropiane dhe të tjera të rajonit”, thotë themeluesi i kompanisë ndërkombëtare Mabetex, me seli në Lugano të Zvicrës, e cila gjithashtu zotëron hotele luksoze në mbarë botën.

Por, Pacolli thotë se investimet e tij në shtetin afrikan nuk kanë qenë faktor vendimtar për hapin që mori Kenia.

“Grupi im i biznesit tashmë ka investime të rëndësishme në Kenia – si në turizëm ashtu edhe në infrastrukturë. Megjithatë, nuk besoj se këto investime kanë qenë një faktor vendimtar në vendimin për njohje”, thotë biznesmeni./Express/