Sot është dita e tetë e grevës së mësimdhënësve në gjithë Kosovën të cilët po kërkojnë ngritjen e koeficientit të pagës.
Gjatë ditës, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur se të gjitha orët e humbura, si shkak i grevës në arsim, do të kompensohen.
Megjithatë Ymer Ymeri nga SBASHK-u ka thënë se institucionet nuk duhet të dalin me deklarata të tilla.
“Mendoj që institucionet duhet të kursehen nga deklaratat për fillimin ose kompensimin e orëve sepse ende jemi në grevë. Besoj që kemi nevojë që të zhvillojmë dialog dhe ta gjejmë formën se si ta ndërprejmë grevën dhe jo të bisedojmë sot për zëvendësimin e orëve të humbura kur ende jemi në grevë dhe nuk dihet se sa do të zgjasë greva”.
“Ndoshta greva do të zgjasë edhe me muaj, prandaj nuk duhet institucionet të kërkojnë që të zëvendësohen ditët e humbura”.
Ymeri në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar edhe arsyet se pse SBASHK-u nuk e ka pranuar ofertën e Qeverisë dhe e ka vazhduar grevën.
“Oferta e Qeverisë është rritja prej 0.2 duke iu shtuar çdo koeficienti të punonjësve të arsimit parauniversitar pa i përfshirë çerdhet, punëtorët teknikë/administrativë dhe Universitetin”.
“Shuma e përgjithshme e kësaj oferte është 10-12 milionë euro. Diferenca e ngritjes mes sektorëve të tjerë dhe arsimit është shumë e madhe dhe kjo është një nga arsyet pse anëtarësia jonë e ka refuzuar këtë ofertë”.
“Nëse krahasohemi me vendet e rajonit, Shqipërinë dhe Maqedoninë, paga e mësimdhënësit në Shqipëri dhe paga e ministrit është në raport 1 me 1.2 derisa në Kosovë raporti është 1 me 5”.
“Paga e mësimdhënësve mund të jetë më e madhe në Kosovë se në Shqipëri por pagat duhet t’i krahasojmë brenda shtetit të Kosovës pra duhet t’i krahasojmë pagat në arsim me pagat në sektorët e tjerë”.
“Sipas Entit Statistikor të Kosovës, paga mesatare në vitin 2017 në sektorin privat dhe publik ka qenë 528 euro derisa paga e arsimtarit ka qenë nën pagën mesatare në Kosovë”.
“Qeveria gjithmonë thotë se arsimi është prioritet por në bazë të shpërblimit që ju jep del se nuk është prioritet”.
Ai ka thënë se greva në arsim është mbajtur në të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të një shkolle në Deçan.
“Deklaratat që nxënësit dhe arsimtarët janë në shkollë është e vërtetë por nxënësit janë në shkollë me dëshirën e tyre derisa mësimdhënësit janë duke bërë grevë”.
Ymer Ymeri nga SBASHK ka thënë se si pasojë e grevës po dëmtohen nxënësit por sipas tij për këtë gjë nuk është përgjegjës SBASHK-u.
“Nga 30.000 grevistë që janë në grevë që tetë ditë shumica e tyre janë prindër dhe fëmijët e tyre janë në shkolla publike dhe sot edhe fëmijët e tyre janë në shtëpi”.
“Nëse fëmijët e askujt tjetër, grevistëve iu dhimbsen fëmijët e tyre. Mësimdhënësit ndjejnë dhimbje që po shkojnë në shkollë dhe nuk po mbajnë mësim por këtë situatë e kanë sjellë institucionet e Kosovës”.
Ai ka instistuar se mësimdhënësit nuk po duan rritje të pagave por rritje të koeficientit.
“Kosto buxhetore e këtij viti, pa e përfshirë ofertën e fundit, ka qenë 90 milionë euro pra nëse këtë buxhet e ndajmë proporcionalisht për 84.000 të punësuar në arsim atëherë i bie secilit nga 100 euro”.
“80-90 % të punëtorëve të arsimit kanë pasë ngritje të koeficientit 0 që do të thotë se sektorët tjerë janë favorizuar më shumë”.
“Ne jemi në radhitje mes koeficientit 1 dhe 2 derisa kemi kërkuar të kalojmë në koeficientët 2 dhe 3”.
“Nuk kemi kërkuar rritje të pagave por kemi kërkuar rritje të koeficientit. Nëse tërhiqet Ligjit dhe rriten pagat atëherë greva ndërpritet dhe mësimi fillon”.
“Problemi është që ligji bëhet për një kohë të gjatë dhe sektori i arsimit po mbetet në fund të rangimit. Nuk është problemi i rritjes së pagave – nuk po kërkojmë të rriten pagat, po kërkojmë rangimin e mësimdhënësve në vendin e merituar”.
Ymeri ka mohuar se kjo grevë është e nxitur politikisht.
“Deri në dy javët e fundit, SBASHK-u nga partitë tjera është cilësuar se është vegël e Ramush Haradinajt. Kur ne filluam t’i artikulojmë kërkesat e mësimdhënësve atëherë na vendosën në një tabor tjetër politik”.
“E vërteta është që SBASHK-u është i përbërë prej të gjitha partive politike. Jemi një sindikatë ku në mesin tonë ka votues të të gjitha partive dhe nuk jemi vegël e asnjë partie politike”.