Influencerja e njohur Sara Gjordeni ka ndarë me ndjekësit e saj një nga praktikat që, sipas saj, ka qenë pjesë e përditshmërisë së familjes së saj brez pas brezi – një ritual që i atribuohet jetëgjatësisë dhe mungesës së sëmundjeve.
Në një seri postimesh në Instagram, Sara zbulon se gjyshi i saj nga nëna, tashmë 93 vjeç, ka përdorur çdo mëngjes esëll një lugë bikarbonat sodiumi të pastër në një gotë ujë. Kur janë të sëmurë, rituali ndryshon pak: përzien 30ml lëng limoni me bikarbonat dhe e pinë si “shot”. Ajo thekson se këtë zakon e kanë ndjekur edhe motrat, vëllezërit dhe prindërit e gjyshit – shumë prej të cilëve kanë kaluar të 100-at.
Në një sqarim të fundit, ajo e bën të qartë se ky nuk është një rekomandim mjekësor, por thjesht një ritual familjar që ajo përpiqet t’ia transmetojë edhe fëmijëve dhe nipërve të gjyshit.
Një përzierje e thjeshtë me ujë dhe besim të thellë – ndoshta më shumë një kujtim dashurie se sa një kurë magjike. Por siç thotë vetë Sara, ndoshta disa prej nesh vazhdojmë pikërisht falë jetëgjatësisë së paraardhësve tanë.