Kryeministri shqiptar Edi Rama është mirëpritur nga Mbreti Charles III në Londër, bashkë me udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Në foton e publikuar, shihet momenti kur kreu i qeverisë shqiptare i jep dorën Mbretit, ndërsa prezent në sallë është dhe kryeministri i Britanisë së Madhe.
Mbreti Charles III ka mirëpritur udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Londër, për bisedime mbi emigracionin, sigurinë dhe rritjen ekonomike.
Londra do të presë zyrtarisht liderët rajonalë në takimin e radhës të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në kryeqytetin britanik, shkruan Top Channel, transmeton Klankosova.tv.
Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, i cili është bërë pjesë e disa tryezave dhe forumeve që të martën e 21 tetorit, ku ka folur për tema të ndryshme si integrimi drejt Bashkimit Evropian dhe ndërveprimi rajonal, e deri te gjeopolitika e kontinentit të vjetër.
Takimi i sivjetshëm, i cili zhvillohet në Londër nën mikpritjen e kryeministrit britanik Keir Starmer, do të mbledhë në një tryezë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Francën.