Samir Mane, vila e dyshuar dhe mëkati pa mëkatar: rrëfimi i “kapjes së parë”

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë nxjerrë në dritë një skemë të dyshuar korrupsioni pasiv dhe aktiv, ku në qendër qëndron biznesmeni Samir Mane dhe bashkëshortja.

Sipas dosjes hetimore, z.Mane dyshohet se ka korruptuar ish-Presidentin Ilir Meta përmes kalimit të pronësisë së një vile luksoze në kompleksin “Rolling Hills”.

Përgjimet e SPAK (lexo KËTU) tregojnë se vila u dha për kalimin e ligjeve specifike në favor të bizneseve të Manes, në sektorin minerar.

Rasti shënon një precedent të rëndësishëm, pasi shfaq drejtpërdrejt simbiozën e përfolur mes fuqisë ekonomike të oligarkisë dhe vendimmarrjes politike, duke e zhvendosur fokusin e SPAK realisht drejt “peshqve të mëdhenj”.

Mëkatari i dytë mungon

Meta u arrestua. Mane nuk është thirrur deri tani në SPAK edhe pse ka kaluar kohë nga arrestimi i ish-Presidentit.

Ligji parashikon që edhe pasivi edhe aktivi në një akt korrupsioni janë njësoj fajtor. Nuk ka korrupsion me një palë. Nëse ka një përfitues të paligjshëm, ka detyrimisht një dhënës të paligjshëm. Nëse jo i pandehur, a duhej të ishte thirrur Samir Mane, së paku si “dëshmitar”?

Nëse SPAK nuk e thërret një figurë që përmendet kaq dendur dhe kaq qartë në një dosje hetimore, kjo e dëmton rëndë besueshmërinë morale të institucionit.

Për fat të keq, jo vetëm kaq.

Mungesa e këtij ekuilibri e kthen drejtësinë në një mjet për “pastrimin” e klasës politike, por jo për shërimin e sistemit nga ndikimi i parave të pista. Nëse drejtësia bëhet “kirurgjikale”, duke hequr politikanin nga skena, por nuk prek motorin ekonomik që qëndron pas tij, krijon një lloj amnistie de facto për oligarkinë. Sepse kur ky biznes e kupton që mund të korruptojë pa u ndëshkuar, atëherë sistemi i ryshfetit nuk ndalet kurrë, thjesht ndërron partnerët politikë.

Sic edhe ka ndodhur me z.Mane.

Mbetet për t’u parë nëse kjo “mungesë guximi” për të prekur majat e biznesit është vetëm çështje kohe, apo SPAK ka vizatuar në heshtje një vijë të kuqe, përtej së cilës ka vendosur të mos hedhë asnjë hap.

Trafikanti i drogës dhe hera e parë

Pasi lexon përgjimet nga dosja e SPAK (linku në fund të shënimit) dikush mund të thotë se 300 apo 800 mijë euro janë pak për ‘ligën e parë’ të korrupsionit tonë famëmadh.

Por besimi thyhet te parimi, jo te shuma. Ajo që duhet kuptuar prej këtij rasti është që sistemi ka operuar në hije për një kohë të gjatë.

Ekziston një rrëfim i njohur në botën e krimit. Një djalë i rritur në varfëri që u bë më pas trafikant droge pyet të atin pse e dëboi me aq ashpërsi punëtoren më besnike, e cila u kap duke vjedhur vetëm 10 dollarë pas dekadash shërbimi.

Përgjigja ishte e thjeshtë, por edhe domethënëse: “Nuk ishte hera e parë që vidhte. Ishte hera e parë që u kap.”

Sot, kur emri i z.Mane shfaqet në dosjet e SPAK si dhurues i dyshuar i një vile luksoze në këmbim të ligjeve që i qepin kostumin e favorshëm bizneseve të tij, pyetja është: Jemi përpara një “mëkati” fillestar, apo përpara një modeli pune që ka funksionuar në heshtje prej vitesh?

Në botën e biznesit të madh, lëvizje të tilla shumë rrallë janë incidente të izoluara. Ato janë një protokoll operimi. I atij lloji ku ligji nuk shihet si rregull i pathyeshëm, por si mall që blihet, tjetërsohet, modifikohet në këmbim të favoreve materiale.

Logjika e dhjetë-dollarëshit të vjedhur na fton të shohim përtej. Nëse një vilë u dha për një ligj, sa të tjera mund të jenë dhënë për koncesione, leje minerare apo statuse investitori strategjik nën mjegullën e viteve të kaluara?

Deri më sot, kjo marrëdhënie ka gëzuar imunitetin e “besnikërisë” së heshtur mes politikës dhe oligarkisë. Sot, perdja është grisur. Do ketë guximin drejtësia e re të trajtojë jo vetëm “hajdutin” që pranoi dhuratën, por edhe “dorën” që e ofroi atë?