Revista Forbes futi në listën e njerëzve më të pasur të botës për herë të parë një sipërmarrës shqiptar.
Ai është Samir Mane, themeluesi dhe presidenti i Balfin Group, i cili është renditur në vendin e 2356 me një pasuri prej 1.4 miliardë dollarë.
“Diku tjetër në Evropë, Shqipëria ka miliarderin e saj të parë këtë vit, me hyrjen e re Samir Mane, i cili ka ndërtuar një pasuri të vlerësuar prej 1.4 miliardë dollarësh nga investimet në qendra tregtare, dyqane elektronike dhe pasuri të patundshme luksoze në mbarë Ballkanin”.
Kjo është pasuria më e madhe e certifikuar ndonjëherë për një sipërmarrës shqiptar nga revista prestigjioze Forbes, e cila e ka bërë traditë publikimin e listës së njerëzve më të pasur të globit, prej vitit 1987.
Me një aktivitet të nisur në vitin 1993, Mane themeloi më pas grupin Balfin, duke e shndërruar atë një ndër grupet më të mëdha investuese në rajon, e që tashme ka zgjedhuar investimet edhe në Austri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
Forbes shkruan se tani ka më shumë se 3 mijë miliarderë në mbarë botën dhe se ata janë më të pasur se kurrë, me një pasuri të përbashkët prej 16.1 trilionë dollarësh.
Vetëm tre vende përbëjnë më shumë se 50% të të gjithë miliarderëve.
Thuajse një e treta e listës së këtij viti vjen nga Shtetet e Bashkuara, që renditet me 813 miliarderë.
Kina mban sërish vendin e dytë me 450 miliarderë dhe India në vendin e tretë me 205 miliarderë.
Në Europë vendin e parë e mban Gjermania me 171 miliarderë.