Sallahu i VV-së: Nëse Kuvendi mbetet i bllokuar, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje

Blerim Sallahu i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje nëse edhe nesër dështon të zgjidhet kryetari i Kuvendit.

Ai ka shkruar në Facebook se Albulena Haxhiu është propozuar për kryeparlamentare pasi “është në pesëshen më të votuar në parti dhe gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës”.

Postimi i tij i plotë:

Neni 67 paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton se “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.

Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, e kemi përmbushur këtë nen duke e propozuar për kryetare të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu e cila i ka gjithsej 125,327 vota, pra është në 5shen më të votuar në parti dhe gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës.

Kësisoj, nesër presim që legjitimiteti dhe legaliteti të jetësohen në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të parandalohet shkelja e serishme Kushtetutës nga ata që tashmë e kanë shkelur Kushtetutën posa e kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës!

Ndryshe, nëse Kuvendi mbahet i bllokuar atëherë e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. Pra, marrëveshje për konstituim dhe shpërndarje të Kuvendit, sepse mungesa e vullnetit opozitar për moskonstituim të Kuvendit nënkupton mospranimm të rezultateve zgjedhore.