Salillari nga Shqipëria fiton kontratën 16.3 milionëshe të BERZH-it për përmirësimin e rrugës hyrëse të Ferizajt

Ministria e Infrastrukturës ka finalizuar një tenderë, duke përmbyllur procedurat sipas rregullave të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për realizimin e punimeve të mbetura në rrugën hyrëse të Ferizajt, shkruan Demokracia.com.

Fitues i kontratës është shpallur kompania shqiptare Salillari sh.p.k, nga Shqipëria me një vlerë prej 16,379,809.11 euro, e cila më 22 nëntor 2024 kishte nënshkruar kontratën me Ministrinë e Infrastrukturës.

Ky projekt është pjesë e Programit të Rrugëve Rajonale, i cili financohet përmes instrumenteve të BERZH-it dhe ka kaluar përmes platformës ndërkombëtare të prokurimit ECEPP. Megjithëkëtë komisioni vlerësimit te ofertave ka qenë vendor.

Çfarë përfshin kontrata?

Projekti parasheh përmirësimin e rrugës hyrëse N2 në drejtim të Ferizajt – një segment strategjik prej 5.6 kilometrash, në veri-perëndim të qytetit. Investimi përfshin:

Zgjerimin e rrugës ekzistuese nga një aks 1+1 në dy korsitë 2×2,

Ndërtimin e ishullit të mesëm dhe trotuareve në të dyja anët,

Ndërtimin dhe harmonizimin e lidhjeve me pesë rrethrrotullime kryesore në hyrje të qytetit,

Përfshirjen e mbikalimit kryesor në km 1+100 dhe rampave të aksesit,

Zgjerimin e urës ekzistuese në km 4+360 sipas parametrave të rinj të projektit,

Segmentet tranzicionale nga km 0+900 deri në km 1+267.

Segmenti i kësaj rruge është konsideruar një prej nyjeve më të ngarkuara të komunikacionit në Ferizaj, duke lidhur qytetin me drejtimet kryesore Prishtinë – Gjilan dhe zonat periferi të Ferizajt.

Punimet pritet të përfundojnë deri më 16 dhjetor 2026.

Sipas njoftimit zyrtar të BERZH-it, tenderi është zhvilluar me procedurën “Tender i Hapur me Një Fazë të Vetme”, ku kompanitë konkurruese duhet të përmbushin kritere teknike, financiare dhe profesionale. Salillari ka ardhur si oferta e vlerësuar më e përshtatshme brenda kritereve të BERZH-it, duke u shpallur fitues pa partnerë të tjerë apo bashkëpunime (JVCA). Kjo kompani ka një portofol të madh punësh infrastrukturore në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë rrugë nacionale dhe projekte urbane me kërkesa të larta teknike. Madje ne Shqipëri ka përfituar miliona euro kontrata.

Në njoftimin përkatës, kontakt personi përgjegjës për projektin është Gjynejt Mustafa, nga Njësia e Zbatimit të Projektit të Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa procedura tashmë është e mbyllur dhe kontrata është në fazën e zbatimit.

Në vitet e mëparshme (2020) zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës kanë nënshkruar edhe kontrata të ngjashme për këtë segment rrugor, duke premtuar përfundimin e punimeve brenda një periudhe të caktuar kohore.

Kush është “Salillari”?

E themeluar në vitin 1994 në Berat, kjo kompani ndërtimi ka kryer punë të shumta në Shqipëri, por në disa raste në Kosovë. Administratori aktual i kompanisë është Bledar Starova, ndërsa pronar më 100 të aksioneve mbetet Pëllumb Salillari.

Në fund të muajit nëntor 2024, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur Pëllumb Salillarin dhe Bledar Starovën për ndërtim pa leje të një pallati në zonën e Liqenit të Thatë, me vlerë 12 milionë euro.

Gjykata e Tiranës kishte vendosur të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kompanisë “Salillari” dhe ish-administratorit të saj, Lulzim Salillari – i cili është edhe vëllai i pronarit të kompanisë, Pëllumb Salillari. Ata akuzohen për “ndërtim të paligjshëm me qëllim përfitimi”.

Kërkesa për gjykim ishte dorëzuar në shkurt 2024, por pas disa shtyrjesh, gjykata vendosi në nëntor 2024 që çështja të kalojë për shqyrtim në themel.

Kompania “Salillari” dhe drejtuesit e saj akuzohen se kanë ndërtuar disa kate pa leje në një godinë pranë Kopshtit Botanik, në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej rreth 2500 metra katrorë.

Sipas njoftimeve, hetimet nisën pas denoncimeve të disa qytetarëve nga zona e Kopshtit Botanik në Tiranë.

Njoftimi i prokurorisë në nëtor 2024:

Në datën 06.07.2022, shërbimet e Postës së Policisë Farkë pranë Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë janë njoftuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në portalin e policisë së shtetit “Komisariati Dixhital” ka disa njoftime nga banorë të zonës së kopshtit Botanik rruga “Bilal Sina”, Njësia administrative Nr.13 Tiranë, ku thuhej së subjekti “Salillari” shpk po ndërton pallate pa leje.

Në pjesën e përparme të pallatit në krahun përball kopshtit zoologjik gjendet e fiksuar në një llamarinë e afishuar leja e ndërtimit nr.prot X-13444/6 datë 27.11.2020lëshuar nga Bashkia Tiranë ku thuhet se punimet kryhen nga shoqeria “Salillari” shpk, do të ndërtohet një godinë banimi dhe shërbimi 1,4 dhe 7 kate me 1-5 kat parkim dhe shërbim nëntokë me afat kryerjen e punimeve 60 muaj si dhe një foto e pamjes së jashtme të projektit të godinës.

Referuar aktit të konstatimit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit rezulton se gjatë kontrollit të ushtruar në objektin me leje ndërtimi nr.X-13444/6 datë 27.11.2020 të objektit “Godinë banimi dhe shërbime1,4 dhe 6 kat me 1-5 kat parkim dhe shërbime nëntokë u konstatua ndryshim nga projekti i miratuar duke realizuar sipërfaqe shtesë në shkelje të kushteve të lejës së ndertimit ku sipas lejes totale sipërfaqe ndërtimore mbi tokë është 10516.29m2 dhe gjëndje faktike 12960.41m2 pra shtesë ndërtimi 2444.12m2.

Referuar lejes së ndërtimit me nr.prot X-13444/8 datë 27.11.2020 të Bashkisë Tiranë për objektin e sipërcituar me subjekt ndërtues “Salillari” shpk rezulton se leja e ndërtimit është “Godinë banimi dhe shërbimi 1,4 dhe 6 kate, me 1-5 kat parkim dhe shërbim nëntokë” në pronë të z.Erald Kamberi, z.Ermal Alla dhe z.Ervis Kamberi.

Kush e drejton “Salillarin”?

Bazuar në të dhënat e “Opencorporates.al”, më 31.07.2003, u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit vendimi që administrator i shoqërisë të jetë Pëllumb Salillari, ndërsa Isuf Ferra kishte të drejtën e përfaqësimit.

Më 03.05.2011, si administratorë të kompanisë u riemëruan Pëllumb Salillari dhe Isuf Ferra.

Më 24.05.2014, Isuf Ferra u largua nga detyra e administratorit, duke lënë Pëllumb Salillarin si të vetmin administrator.

Më 02.06.2017, Pëllumb Salillari u largua dhe u emërua në vend të tij Lulzim Salillari.

Më 10.05.2023, Lulzim Salillari u largua dhe si administrator i ri u emërua Bledar Starova, i cili ka firmosur edhe kontratën për tenderin 18 milionë eurosh në Prishtinë.

Zotëruesi i 100% të aksioneve të kompanisë “Salillari” mbetet Pëllumb Salillari. /Demokracia.com/