Ish eprori i UÇK’së Salih Mustafa, sot do paraqitet para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Lajmi u bë i ditur nga Dhomat e Specializuara gjatë javës së kaluar, ku u tha se konferenca rreth ecurisë së çështjes mbahet me 1 shkurt, nga ora 11:00.
“Siç është njoftuar në Kalendarin tonë të Gjykatës, Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Salih Mustafës do të mbahet më 1 shkurt në orën 11:00”, thuhet në njoftim.
Për Mustafën, javën e kaluar u vendos të zgjatet paraburgimi nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou.
Mustafa kishte bërë kërkesa për lirim, por ato nuk qenë të mjaftueshme për Gjykatën Speciale.
Ish eprori i UÇK’së u arrestua në shtator të 2020, dhe akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.