Salah zemërthyer pas vdekjes së Diogo Jota: Do të jetë shumë e vështirë

Ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, ka reaguar me një mesazh thellësisht prekës pas lajmit tragjik për vdekjen e bashkëlojtarit të tij, Diogo Jota, i cili humbi jetën së bashku me vëllanë e tij, André, në një aksident automobilistik në Spanjë.

Në një postim në rrjetet sociale, Salah shprehu tronditjen e tij të madhe për humbjen e papritur të shokut të skuadrës, me të cilin kishte ndarë shumë momente në fushën e gjelbër.

“Me të vërtetë nuk kam fjalë…”, shkroi egjiptiani.

“Deri dje, nuk e mendoja kurrë se mund të kishte diçka që do të më frikësonte nga kthimi në Liverpool pas pushimeve. Shokët e ekipit vijnë dhe shkojnë, por jo kështu. Jo në këtë mënyrë. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të pranohet se Diogo nuk do të jetë aty kur të kthehemi”, tha Salah.

Salah gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjen e Diogos dhe kërkoi që të gjithë të jenë pranë tyre në këtë periudhë të vështirë:

“Mendimet e mia janë me gruan e tij, fëmijët e tij dhe sigurisht me prindërit e tij, të cilët papritur humbën dy fëmijët e tyre. Të afërmit e Diogos dhe vëllait të tij André kanë nevojë për gjithë mbështetjen që mund ta marrin. Ata nuk do të harrohen kurrë”, tha tutje Salah.

Jota ishte pjesë kyçe e sulmit të Liverpoolit dhe kishte kontribuar ndjeshëm në fitimin e titullit të Premier League në sezonin 2024/25. Klubi ka njoftuar se do ta tërheqë nga përdorimi fanellën me numrin 20 – për herë të parë në historinë e Liverpoolit – në nderim të tij.

The post Salah zemërthyer pas vdekjes së Diogo Jota: Do të jetë shumë e vështirë appeared first on Kosovapost.net.