Rrjeti “SafeJournalists” ka dënuar fuqishëm ngacmimin online dhe dhunën digjitale me bazë gjinore që ka në shënjestër gazetaren hulumtuese të Kiks Kosova, Ardiana Thaçi-Mehmeti.
Sipas informacioneve në dispozicion, “SafeJournalists” thotë se të dhënat personale të Thaçi-Mehmetit, përfshirë numrin e telefonit dhe fotografitë e saj, janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme në një grup në “Discord” me rreth 70,000 anëtarë, ku pjesëmarrësit inkurajonin të tjerët ta kontaktonin atë.
Si rezultat, ky rrjet thotë se gazetarja mori dhjetëra mesazhe dhe fotografi seksuale eksplicite mbrëmë vonë.
“Veprime të tilla përfaqësojnë një formë serioze të ngacmimit online me bazë gjinore dhe një përpjekje për të frikësuar dhe heshtur një gazetare për shkak të punës së saj profesionale”, ka thënë rrjeti “SafeJournalists” në reagim.
Tutje, “SafeJournalists” kujtoi se si drejtoresha ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, së bashku me gazetaren Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe përfaqësuesin ligjor të AGK-së, Yll Zekaj, e raportuan rastin në Njësinë për Krime Kibernetike të Policisë së Kosovës.
Rasti është sjellë gjithashtu në vëmendjen e Prokurorisë.
“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Ardianën, e cila është përballur me fushata të përsëritura të abuzimit online nga këto grupe për shkak të raportimit të saj. AGK po punon shumë ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë për të shtyrë për veprime të shpejta dhe vendimtare në mënyrë që kjo praktikë e tmerrshme të ndalet njëherë e përgjithmonë”, tha Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të AGK-së.
Rrjeti “SafeJournalists” vëren se kjo është hera e tretë në dy vitet e fundit që Thaçi-Mehmeti përballet me ngacmim online dhe kërcënime seksuale.
“Shënjestrimi i përsëritur i gazetarëve, veçanërisht i grave gazetare, përbën një kërcënim serioz për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes. Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të hetojnë urgjentisht rastin, të identifikojnë përgjegjësit dhe të sigurojnë llogaridhënie”, tha ky rrjeti në reagimin e tij.
Rrjeti SafeJournalists qëndron në solidaritet të plotë me Ardiana Thaçi-Mehmetin dhe do të vazhdojë ta monitorojë nga afër këtë rast, dhe shtoi se do të informojnë aktorët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.
“Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut”, përfundoi reagimi i rrjetit “SafeJournalists”.
Rrjeti “SafeJournalists” përbëhet nga:
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave e Malit të Zi










