Sadiku: Shqipëria nuk është eliminuar, Kosova është zemra e saj (VIDEO)

Fitorja historike e Kosovës, dhe humbja e hidhur e Shqipërisë u diskutuan sot në emisionin “Ora Shtatë”.

Drejtori i sportit në Artmotion, Arlind Sadiku tha se Shqipëria nuk është eliminuar, pasi theksoi se Kosova është zemra e saj, transmeton klankosova.tv.

“Unë mendoj që Shqipëria ende nuk është eliminuar, dhe Kosova është zemra e Shqipërisë. Dje pamja më e bukur ishte festa e futbollistëve të Kosovës me flamurin e Shqipërisë, dhe jo vetëm futbollistëve por edhe mijëra tifozëve që ishin të pranishëm në stadium”, tha Sadiku.

Ai tha se emocionet ishin të papërshkrueshme, diçka që sipas tij, nuk ishin përjetuar kurrë më herët.

“Ne si shqiptarë, në sporte kolektive nuk është që kemi pasur shumë sukses, dhe në futboll, që është sporti më i popullarizuar, të jesh kaq afër për të prekur skenën më të madhe botërore, është diçka e jashtëzakonshme. Është një penj i hollë që na ndanë nga një sukses historik”, tha Sadiku në Klan Kosova.