Rusia për vite me radhë ka pasur një avantazh të madh ndaj NATO-s, por tani e ka humbur

NATO-ja ka arritur dhe ka tejkaluar Rusinë në prodhimin e municioneve, duke mbyllur kështu hendekun shumëvjeçar ku kishte epërsi Moska.

Këtë e bëri të ditur sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, duke theksuar se vendet anëtare tani po prodhojnë më shumë rezerva ushtarake se në dekadat e kaluara.

Duke folur në Forumin Industrial të NATO-s në Bukuresht, Rutte shpjegoi se industritë mbrojtëse perëndimore kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e tyre prodhuese, duke përmbysur pabarazinë e mëparshme.

“Tani po hapim dhjetëra linja të reja prodhimi dhe po zgjerojmë ato ekzistuese në mbarë Aleancën”, tha ai.

Ky vrull industrial është rezultat i zotimit të marrë në samitin e Hagës në korrik, ku vendet anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035. Ky vendim ka nxitur investime të mëdha në blerjen e gjithçkaje – nga aeroplanët dhe tanket te dronët, municionet dhe teknologjitë e avancuara.

Kreu i NATO-s vlerësoi aleatët evropianë dhe Kanadanë për rritjen e konsiderueshme të investimeve, me ç’rast janë krijuar burime të mëdha financiare për modernizimin e mbrojtjes.

Megjithatë, ai paralajmëroi se detyrimet financiare duhet të shndërrohen në fuqi të vërtetë ushtarake.

“Vetëm paratë nuk mund të sigurojnë mbrojtje”, theksoi Rutte, duke nënvizuar se është thelbësore të zhvillohen aftësi konkrete, pajisje dhe teknologji të përparuar.

Rutte dha gjithashtu një paralajmërim serioz për sfidat e vazhdueshme të sigurisë, duke theksuar se kërcënimet nga Rusia do të ekzistojnë edhe pas përfundimit të konfliktit në Ukrainë. Ai veçoi bashkëpunimin gjithnjë e më të madh mbrojtës të Moskës me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin.

Për këtë arsye, ai u bëri thirrje anëtareve të NATO-s të shmangin çdo lloj vetëkënaqësie, të përshpejtojnë ciklet e prodhimit dhe të thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, në mënyrë që Aleanca të ruajë epërsinë e saj strategjike.