Rusia lëviz pranë ujërave britanike – Londra në alarm pas anijes spiune “Yantar”

Yantar ka drejtuar lazer ndaj pilotëve britanikë gjatë monitorimit, paralajmëron Londra.

Një anije ruse spiunazhi ndodhet aktualisht në kufijtë e ujërave të Mbretërisë së Bashkuar, ka paralajmëruar ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, sipas raportimit të Sky News.

Sipas tij, kjo është hera e dytë brenda vitit që “Yantar” lundron pranë brigjeve britanike.

“Një anije spiune ruse, Yantar, ndodhet në kufijtë e ujërave britanike në veri të Skocisë, pasi ka hyrë në ujërat e zgjeruara detare të MB-së gjatë javëve të fundit”, deklaroi Healey.

Ministri theksoi se anija është e destinuar për mbledhje informacioni dhe hartëzim të kabllove nënujore të komunikimit.

Healey shtoi se “ne kemi angazhuar një fregatë të Marinës Mbretërore dhe avionë të RAF për ta monitoruar, gjatë së cilës Yantar ka drejtuar lazer ndaj pilotëve tanë”.

Sipas tij, veprimi rus është “shumë i rrezikshëm”, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar është e përgatitur për çdo lëvizje të mëtejshme.

Healey i dërgoi edhe një mesazh Moskës: “Ju shohim, e dimë çfarë po bëni, dhe nëse Yantar lëviz më në jug këtë javë, ne jemi gati.”