Rusia grumbullon trupa pranë NATO-s, Gjermania paralajmëron kërcënim të drejtpërdrejtë

Paralajmërimi vjen nga deputeti i Bundestagut gjerman dhe eksperti i mbrojtjes, Roderich Kiesewetter, në një intervistë për televizionin NTV.

Rusia ka dislokuar rreth 360 mijë trupa pranë kufijve të NATO-s, duke rritur ndjeshëm nivelin e kërcënimit ndaj aleancës perëndimore.

Paralajmërimi vjen nga deputeti i Bundestagut gjerman dhe eksperti i mbrojtjes, Roderich Kiesewetter, në një intervistë për televizionin NTV.

Sipas Kiesewetter, këto forca përbëhen nga dy korpuse ushtrie të stacionuara në Bjellorusi, të cilat, sipas tij, janë plotësisht të afta për të goditur vende anëtare të NATO-s.

Ai theksoi se, falë një ekonomie të orientuar drejt luftës, presidenti rus Vladimir Putin po stërvit qindra mijëra ushtarë të rinj, të cilët nuk po përdoren fare në luftën kundër Ukrainës. Kjo, sipas tij, tregon se Moska po ndërton kapacitete për skenarë të tjerë ushtarakë përtej frontit ukrainas.

Kiesewetter i cilësoi si naive shpresat se Kremlini do të “kthehet në arsye” dhe paralajmëroi se periudha 2026–2027 mund të jetë më e rrezikshmja për sigurinë evropiane dhe atë të NATO-s.

Sipas tij, këto zhvillime kërkojnë vigjilencë të shtuar, investime serioze në mbrojtje dhe një qasje realiste ndaj qëllimeve strategjike të Rusisë, pasi kërcënimi nuk është më teorik, por gjithnjë e më konkret.