Rusia godet ndërtesën qeveritare në Kiev për herë të parë, në sulmin më të madh ajror të luftës

Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh ajror që nga fillimi i luftës në Ukrainë, gjatë natës së së dielës, duke lëshuar mbi 800 dronë dhe për herë të parë ka goditur një ndërtesë qeveritare në Kiev.

Sipas autoriteteve të kryeqytetit, një foshnjë ishte mes të paktën dy viktimave nga sulmet me dron mbi disa ndërtesa banimi, ndërsa sirenat e sulmit ajror ranë për 11 orë rresht, raporton CNN.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi në platformën X se gjithsej katër persona janë vrarë dhe 44 janë plagosur në gjithë vendin.

Forcat ruse lëshuan gjithsej 810 dronë, katër raketa balistike dhe nëntë raketa lundrimi, ka bërë të ditur Forca Ajrore e Ukrainës. Shumica u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, por 54 dronë dhe nëntë raketa arritën të godasin objektiva në gjithë territorin ukrainas.

Ky sulm e tejkalon për nga përmasat sulmin e Moskës në korrik, i cili deri tani konsiderohej më i madhi i luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Sulmi ndodhi pas përpjekjeve të fundit të aleatëve perëndimorë të Kievit për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje, në një kohë kur momentum për t’i dhënë fund luftës ka ngecur, duke shkaktuar zhgënjim në Shtëpinë e Bardhë. Në një intervistë për ABC News, e transmetuar të dielën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se presidenti amerikan Donald Trump “i dha (presidentit rus Vladimir) Putinit atë që donte” në samitin e muajit të kaluar në Alaska mes dy liderëve, i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete.

Të dielën, Trump sinjalizoi se administrata e tij është e gatshme të kalojë në fazën e dytë të sanksioneve kundër Rusisë. “A jeni gati të kaloni në fazën e dytë të sanksioneve ndaj Rusisë?”, e pyeti një gazetar presidentin. “Po, jam,” u përgjigj ai.

Gjithashtu të dielën, Zelensky e përshkroi sulmin e fundit si “të neveritshëm”, duke thënë: “Këto vrasje tani, kur diplomacia e vërtetë ka mundur të fillonte shumë kohë më parë, janë një krim i qëllimshëm dhe një zgjatje e luftës.”