Në deklarata flitet edhe për numrin e të arrestuarve, përfshirë edhe rusin Mihajl Aleksandreviç Krasnoshchenkov për të cilin thuhet se kishte vendosur në barrikadë veturën me targa të UNMIK-ut.
“Në barrikadën në Zubin Potok është arrestuar edhe një shtetas rus, bëhet fjalë për z. Mihajl Aleksandreviç Krasnoshchenkov, i cili kishte vendosur në barrikadë veturën me targa të UNMIK-ut”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, si rezultat i planit operativ të realizuar sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës janë arrestuar deri tani 19 zyrtarë policorë të dyshuar për vepra penale. Zyrtarët policor të arrestuar janë sjellë në ndërtesën e Inspektoratit Policor të Kosovës.
“Janë arrestuar nga ana e Policisë edhe nëntë qytetarë tjerë për të cilët kishte urdhërarrest dhe shtatë qytetarë të cilët kanë penguar Policinë në përmbushjen e detyrave të saj.
MPB thotë se lidhur me rastin janë duke u zhvilluar hetimet ku është e përfshirë Prokuroria Speciale e Kosovës, si dhe Inspektorati Policor i Kosovës sipas autorizimeve të prokurorit kompetent”, vijoi deklata.
Sipas MPB-së, operacioni është i mbështetur në urdhrat e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe është mbikëqyrur nga Prokuroria Speciale. MPB nënvizon faktin se veprimet janë zhvilluar në komuna të ndryshme dhe nuk kanë karakter etnik, duke theksuar se ditë më parë një operacion i ngjashëm është realizuar edhe në Vërmicë.
“Policia e Kosovës gjatë zhvillimit të operacionit ka hasur në rezistencë të armatosur në hyrje të Zubin Potokut, ku grupe të armatosura po mbanin të bllokuara rrugët me anë të barrikadave të vendosura. Këto grupe kanë sulmuar Policinë me ç’rast një polic është i plagosur me armë zjarri. Pas veprimeve të duhura, policia ka mënjanuar barrikadat dhe ka vazhduar me operacionin. Gjatë largimit të barrikadave gjashtë qytetarë kanë pësuar lëndime të lehta”, thuhet në deklaratë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë pjesëtarët e agjencive të zbatimit të ligjit që morën pjesë në operacionet e sotme, si dhe i dëshiron shërim sa më të shpejtë pjesëtarit të plagosur të Policisë së Kosovës./kp