Implikimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në çështjen e zgjidhjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk po i pëlqen aspak Rusisë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova i ka quajtur të papranueshme thirrjet e kryeministrit Rama për bashkimin eventual të Shqipërisë me Kosovën.
Sipas saj, Moska zyrtare nuk ka ndryshuar pozicionin e saj karshi problemit të Kosovës duke besuar se një zgjidhje e duhur duhet të bëhet në interes të popullit serb dhe të drejtën ndërkombëtare sipas ligjeve të Serbisë.
“Deklaratat e Edi Ramës janë të papranueshme. I bëjmë thirrje Perëndimit, përkatësisht BE-së dhe NATO-s që të reagojnë ndaj këtyre deklaratave dhe planeve gjeopolitike”, është shprehur zëdhënësja e diplomacisë ruse.
“Ne menduam se kishte ndonjë gabim në përkthim, por ne e kontrolluam atë disa herë”, tha ajo, duke shtuar se deklaratat e tilla minojnë stabilitetin dhe përkeqësojnë besimin në rajon dhe Ballkanit si dhe komplikojnë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ndryshe, kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive ka thënë se bashkimi me Kosovën është plan A.
“Bashkimi nuk është plan B por është plan A, rruga jonë është rruga që na bashkon dhe ne jemi të angazhuar në një proces që nuk ka të ardhme tjetër përveç bashkimit. Unë e imagjinoj bashkimin si një proces që ndodh në shek e XXI me mjetet e këtij shekulli dhe jo me mjetet e të shkuara”, është shprehur ai.