Karl-Heinz Rummenigge, ish-CEO dhe aktualisht anëtar i bordit drejtues të Bayern Munich, ka ngritur sërish alarmin për qëndrueshmërinë ekonomike të futbollit europian. Në një intervistë për BR24, ai u shpreh i shqetësuar për rritjen e pandalshme të pagave dhe shpenzimeve të merkatos: “Nuk mund të vazhdojmë me paga dhe shpenzime që rriten vazhdimisht. Nuk është një mënyrë serioze pune. Klubet gjermane, përfshirë Bayernin, e kanë gjithnjë e më të vështirë të konkurrojnë me shifrat e ofruara nga anglezët”.
Rummenigge e lidhi këtë me kapitalin e jashtëm: “Në Angli klubet iu përkasin miliarderëve ose madje shteteve si Arabia Saudite e Katari. Ky realitet të detyron të konkurrosh me entitete gjigante, edhe në Champions”.
Sipas tij, zgjidhja është rishikimi i rregullave financiare: “Duhet ulur tavani i shpenzimeve nga 70% në 60%, apo edhe 55% të të ardhurave për paga dhe merkato. Futbolli nuk mund të jetë e vetmja industri që humb para sistematikisht”. Ai apeloi për dialog mes klubeve, lojtarëve dhe agjentëve: “Nuk mund të vazhdojmë me logjikën ‘gjithmonë më shumë’. Duhet një zgjidhje e përbashkët”.
The post Rummenigge ngre alarmin: Premier League po rrezikon themelet e futbollit appeared first on Telesport.










