Rumania në ankth për trajnerin e vet 80-vjeçar, Lucescu në spital para “play off”-it

Janë orë shqetësimi të madh në Rumani për gjendjen shëndetësore të Mircea Lucescu. Sipas mediave, trajneri i kombëtares është i shtruar në spital në Bukuresht dhe ndodhet nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore.

Problemet e teknikut 80-vjeçar nisën pas një gripi të fortë gjatë periudhës së Krishtlindjeve, i cili pati pasoja në planin kardiak. Situata u bë më delikate për shkak të problemeve të mëparshme me zemrën dhe moshës së avancuar. Fillimisht iu nënshtrua një terapie intensive, por pa reagimin e pritur, çka solli përkeqësimin e gjendjes dhe shtrimin në spital.

Vështirësitë fizike i kanë prishur planet e punës për sfidat vendimtare. Pas dy muajsh, Rumania do të përballet me Turqinë në gjysmëfinalen e “play off”-it për kualifikimin në Botërorin 2026. Lucescu u detyrua të heqë dorë nga ndjekja e grumbullimeve dhe ndeshjeve, duke deleguar bashkëpunëtorët.

Vetë Lucescu u mundua ta qetësonte publikun: “Temperatura arriti në 39 gradë. Jam në spital nën mbikëqyrjen e mjekëve. Shpresoj të rikuperohem sa më shpejt. Më kanë thënë se të hënën duhet të dal nga spitali”.

The post Rumania në ankth për trajnerin e vet 80-vjeçar, Lucescu në spital para “play off”-it appeared first on Telesport.